Në pritje të Vesa Smolicës
Ajo është një këngëtare e cila bën pjesë në grupin e atyre që “dinë të këndojnë”. Ka një zë të spikatur që në vogëli, gjë për të cilën familja nuk vonoi ta regjistrojë në shkollën e muzikës.
Besimin tek vetja kjo këngëtare e fitoi edhe kur mësuesit e saj të parë i vlerësuan zërin, më tej ajo nisi me garat televizive të këndimit “live” ku nuk reshti së marrë pjesë dhe sot është një nga zërat e kërkuar në tregun muzikor.
Nga Kosova e afirmuar edhe në Tiranë, Vesa Smolica ishte pjesë e revistës “Opusalb”. Ndiqni në vijim intervistën me këngëtaren e talentuar dhe me zërin potent.
Vesa ju që e njihni mirë të folurën e Kosovës, si ju duken këngët që këndohen në këtë dialekt nga këngëtaret e Shqipërisë?
Secili dialekt ka të bukurën e vetë, por ky kombinim i ndërthurur në kohën e fundit nuk më duket ide e mirë. Ne e njohim shumë mirë dialektin e njeri-tjetrit por slengu apo theksi nuk tingëllon i njëjtë dhe aty theksohet problemi do të thoja.
Si mendoni ju si ndjehet një këngëtar që është në gjendje të këndojë “live” kur në konkurencë për treg, mbizotërojnë ata/o që nuk dinë të këndojnë?
Ka vend për të gjithë në tregun muzikor por unë pres nga publiku të përzgjedhë me shumë cilësinë apo ata që dinë të këndojnë të paktën, që më pas të ndjehemi të vlerësuar ashtu siç e meritojmë.
Kush e ka pikasur zërin tek ju?
Familja sigurisht, prandaj më regjistruan në shkollën e ulët të muzikës dhe pastaj këtë e vërtetuan edhe profesorët e muzikës.
Cila ka qenë oferta e parë që keni marrë, apo ajo që ju ka gëzuar më shumë?
Normalisht ftesat për pjesëmarrje në festivale e spektale muzikore që për mua janë përvoja që nuk paguhen me asgjë.
Çfarë muzike dëgjoni?
Një muzikant nëse do të punojë në raport me publikun dhe kolegët e tij duhet të përshtatet në hap me kohën. E unë i degjoj gati të gjitha zhanret për të qenë në rrjedhë me cdo gjë, gjithsesi jam specifike sa i përket cilësisë i dëgjoj nga ato me të vjetrat në kohë, e deri te ato modernet.
Cilat kanë qenë aktivitetet që ju i keni më për zemër nga këto ku keni marrë pjesë?
“Gjeniu i Vogël” ka qenë spektakli që më hapi dyert e karrierës time në mënyreë profesionale dhe më vërtetoi se unë vlej si këngëtare duke marrë kështu vendin e dytë. Më tej “Këngët e Shekullit” 2 ku kisha privilegjin të isha në mesin e shumë artistëve të estradës sonë shqiptare dhe “The Voice of Albania” edhe pse kisha një bagazh artistik me këngë të mija m’u bë ftesa të bëhesha pjesë e këtij talent show dhe e pranova pikërisht për t’u rikthyer netëve live në televizion sepse më mungonte ajo pjesë.
Cili është më i vështirë si treg ai në Kosovë apo ai jashtë Kosovës në trojet e tjera?
Unë jam afirmuar në Shqipëri, duket edhe nga spektaklet që permenda dhe jo vetëm, atje është tregu më i gjerë dhe gjithmonë e kam gjetur veten. Ndërsa në Kosovë është treg shumë i mirë për komerciale, në të cilin është vështirë të përkrahësh nese je vetëm më saktesisht pa shtëpi diskografike. Nëse është fjala ndërkombëtarisht është ende më veshtirë sepse duhet të kesh lidhje të mprehta me njerëz të ndryshëm të depërtosh, nuk mjafton vetëm talenti.
Çfarë jeni duke përgatitur ose çfarë projektesh muzikore do të kishit dëshirë të realizonit?
Do të kisha shumë dëshirë te realizoja nje album pavarësisht që nuk ja vlen në këtë kohë sepse nuk përfiton asgjë nga ajo pune, por çdo muzikant, këngëtar duhet ta ketë. Ndërkohë jam duke përgatitur këngën time të re që do ta bëj të njohur së shpejti me klip.
Çfarë vlerësoni më shumë tek koleget tuaj muzikantë?
S’ka rëndësi a janë klasikë apo modernë a komercial secili duhet të ketë diçka që përmbushë fushën e tyre, në të cilën duken më specifikë. Vlerësoj muzikalitetin, punën e palodhshme dhe vullnetin në një treg shumë të vështirë.
Ne kritikojmë shpesh tekstet e këngeve shqiptare, si mendoni ju, sa ndikon teksti në një këngë të mirë?
Varet se çfarë muzike kanë zgjedhur të bëjnë! Nëse është nga këto të fundit apo modernet, pak rëndësi ka teksti ndërsa kur vjen puna te pjesëmarrja me një këngë në festivalet e mëdha, përshembull duhet seriozitet i plotë sepse çdo detaj është në shënjestër. Kjo do të thotë që teksti duhet të jetë në nivel të lartë. Gjithmonë duhet të përshtatesh me idenë, se çfarë zhanri muzikor bën dhe çfarë do të tregosh në ate projekt, secili i ka qëllimet e veta të qarta besoj.
/Opusalb