.
Published On: Sat, Jul 23rd, 2016

Në Universitetin “Fehmi Agani” në afatin e parë pranohen 336 studentë

Share This
Tags

Në Universitetin e Gjakovës në afatin e parë të regjistrimit të drejtën e studimeve e kanë fituar 336 studentë të cilët janë treguar të suksesshëm në provimin pranues dhe kanë përmbushur kriteret e regjistrimit bashkë me suksesin e shkollimit paraprak, ndërkohë që për afatin e dytë ka vende të lira edhe për 204 student. Në fakt Universiteti publik Fehmi Agani në Gjakovë kishte hap konkursin e regjistrimit për 540 studentë të rinj, ndërsa tashmë ka publikuar listat e studentëve të pranuar në afatin e parë të regjistrimit në tri fakultetet e këtij universiteti. Në Fakultetin e Edukimit për programin fillor ku kishte interesim të jashtëzakonshëm, janë plotësuar të 100 vendet e planifikuar kurse në programin parashkollor të këtij fakulteti ka edhe 9 vende të lira.

Në Fakultetin e Filologjisë të drejtën e regjistrimit, pasi e kanë kaluar provimin pranues e kanë fituar 31 studentë nga 80 të kërkuar me konkurs për programin “Letërsi Shqipe” dhe 40 studentë nga 80, në programin Gjuhë shqipe. Kështu, në këtë fakultet për afatin e dytë ka edhe 89 vende të lira. Fakultetin e Mjekësisë përkundër interesimit të madh të studentëve për tu regjistruar, provimin pranues e kanë kaluar 11 studentë nga 80 në programin për Mami dhe 63 të tjerë nga 100 të kërkuar në programin e Infermierisë. Kështu në këtë fakultet për afatin e dytë të regjistrimit do të ketë vende të lira edhe për 106 mantelbardhë të ardhshëm.

Vlen të theksohet se një numër i madh i kandidatëve që kanë kërkuar një vend në Universitetin Fehmi Agani nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret e kërkuara me konkurs, përkatësisht pragun prej 40% e ku janë marrë për bazë rezultatet në mësime në shkollën e mesme dhe në provimin e maturës si dhe dija e treguar në testin pranues .

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve, duke mos llogaritur ditët e vikendit, gjegjësisht deri të martën me 26.07.2016 deri në orën 16:00.