.
Published On: Tue, Jan 14th, 2014

Nënkryetari i Gjakovës zgjedhet në Prishtinë!

Share This
Tags

mimoza-kGjakovë/Prishtinë- Emri i Artan Nimanit që siç duket nuk është i preferuari i kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari -Lila, për të qenë në pozitën e nënkryetarit ka çuar deri te përplasjet e para mes partnerëve të koalicionit, AKR-PDK në Gjakovë.

Ajo e ka shpallur “person non grata” Nimanin për të qeverisur bashkë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, i cili nga PDK-ja është propozuar për pozitën e të dytit të komunës.

Pikërisht për shkak të këtyre përplasjeve që kanë filluar të ndjehen në mes partnerëve të koalicionit, kryetarja Kusari –Lila ka kërkuar ndihmën e kryeministrit Thaçi, i cili është edhe kryetar i PDK-së që ta tërheqë nga propozimi Artan Nimanin për pozitën e nënkryetarit.

Tashmë, çështja i ka kaluar Thaçit, i cili brenda javës do të vendosë se kush do të jetë në karrigen e të dytit të komunës, Artan Nimani, Ramadan Hoti apo Agon Dobruna, të cilat janë propozuar nga Dega e PDK-së për pozitën e nënkryetarit, e që sipas të gjitha gjasave do të kalojë i dyti, kanë thënë burimet e “Zërit” brenda PDK-së në qendër.

Kryetarja e vetme femër, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka marrë “timonin” e udhëheqjes së Gjakovës nga mesi i dhjetorit të vitit që sapo lamë pas, duket se po ka telashe me partnerët e koalicionit për të krijuar qeverinë e re. Mospajtimet e para janë shfaqur kryesisht me propozimin e PDK-së që Artan Nimani të jetë i dyti i komunës.

Por, Dega e PDK-së në Gjakovës, përmes një shkrese që ia ka dorëzuar ditë më parë Kryetares së Gjakovës, përveç propozimit që ka dhënën për Nimanin, gjithashtu i ka quar edhe emrat për katër drejtorët që pritet të jenë pjesë e qeverisë së re.

PDK ka propozuar që Diana Çarkaxhia për drejtore të Arsimit, Mentor Sylmeta, për drejtor të Inspektoratit, Shkumbin Kastrati për Buxhet dhe Financa dhe Halit Avdiu, për drejtor të Emergjencave. “Kryetarja ka deklaruar se s’muj me marrë në qeverinë time Artanin me arsyetimin se është i dyshuar për vepër penale, gjegjësisht për shkak të së kaluarës së tij”, ka thënë burimi. Si alternativë mësohet se PDK për pozitën e nënkryetarit ka Ramadan Hotin, që pritet këtë të mërkurë të bëhet zyrtarizimi i emrit të tij.

Në anën tjetër, gazeta ka kontaktuar edhe kryetarin e Degës së PDK-së për Gjakovë, Hajdar Beqën, i cili ka mohuar të ketë mosmarrëveshje me kryetaren rreth emrave për të qenë në qeverisjen e saj të ardhshme katërvjeçare.

”Është e rëndësishme që kandidatët e PDK të jetë profesionist dhe të denjë për pozitat që presin t’i marrë, përderisa është shumë pak e rëndësishme që propozimet e PDK-së të jenë apo jo të dëshirueshme për Mimozën, në të kundërtën ne shqyrtojmë mundësinë e prishjes së koalicionit dhe do të qëndrojmë si opozitë konstruktive. Por, ajo çka dua të them është se në ditët e para të kësaj jave do të vendosët për qeverisjen e re”, ka thënë Beqa.

Gazeta, ndërkaq ka bërë përpjekje që të kontaktojë edhe me kryetaren e Gjakovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Vetë Artan Nimani tha se “nëse Mimoza kërkon që të tërhiqet emri im prishet koalicioni, por nëse këtë e kërkon kryeministri për një arsyeje, atëherë unë tërhiqem, por jo pse është dëshirë e Mimozës”, ka thënë ai.

Mirëpo, mësohet se me përplasje të brendshme po përballet edhe Dega e LDK-së në Gjakovë, që pritet që gjatë javës të bëjë koalicion me AKR-në. Mospajtimet e brendshme në LDK mësohet se lidhen pikërisht rreth emrave se kush duhet të shkojë në Drejtorin e Bujqësisë dhe atë për Kulturë, Rini e Sport, përderisa mësohet se Luan Gola do të jetë kryesues i Asamblesë Komunale./zeri/