Nga 150 € në muaj për Hadi Shehun, Hysen Binakun dhe Sulejman Lokajn
Nën kryesimin e kryetares Mimoza Kusari Lila, Bordi i Drejtorëve ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën janë shqyrtuar pikat e prezentuara nga drejtorët të cilët kanë të bëjnë me zhvillimet dhe kërkesat e qytetarëve.
Një kërkesë e tillë e parashtruar nga aktorët e Teatrit Profesionit, Hadi Shehu, Hysen Binaku dhe Sulejman Lokaj, të cilët tashmë janë në pension për subvencionim nga Zyra e Kryetares së Komunës, është trajtuar dhe ka gjetur mbështetjen. Këta tre aktorë me nga 150 euro në muaj do të subvencionohen nga subvencionet e kryetares së komunës, duke nisur nga muaji shtator deri në përfundim të këtij viti.
Kërkesa për angazhimin e një Task Force për regjistrimin e të gjitha të dhënave nga librat amzë në kompjuter të prezentuar nga Armend Vokshi, drejtor i Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative është miratuar me përfundimin që të angazhohen praktikantët aktualë dhe të njëjtit të jenë të mbikqyrur nga zyrtarët e kësaj drejtorie. Ky përfundim ka ardhur, pasi drejtori Vokshi ka thënë se gjetja e të dhënavë në mënyrë manuale po merr shumë kohë, ndërkaq me sistemimin e këtyre të dhënave në kompjuter dhe më pas me kryerjen e punëve në mënyrë automatike do të ofrohej mundësi veprimi më i shpejtë.
Kërkesa e Meriton Ferizit, drejtorit të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për realizimin e projektit teatror “Idioti” ka gjetur mbështetjen e Bordit, ashtu sikurse kërkesat e drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Bekim Ermeni, që kanë të bëjnë me subvencionimin e shoqatave bujqësore me mekanizëm për mbrojtjen e prodhimeve dhe tokës bujqësore-spërkatëse si dhe subvencionimin e analizave të tokës për fermerët e komunës së Gjakovës.
Lista e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila është përzgjedhur nga Komisioni për përfituesit në ndihmë materiale nga subvencionet në vlerë prej 29.900 euro dedikuar për 135 pacientë me sëmundje të ndryshme kronike dhe të rënda, është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, dhe përdallim nga lista e parë në periudhën e parë të këtij viti, në këtë listë ka persona që nga Komuna kanë përfituar edhe në vitet paraprake. Nga Bordi i Drejtorëve janë trajtuar edhe kërkesa tjera të qytetarëve që kanë të bëjnë me kompetencat e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, por edhe të drejtorive tjera.










