.
Published On: Tue, Feb 14th, 2017

Nga Komuna e Gjakovës ofrohen për dhënie në shfrytëzimin të 21 dyqane

Share This
Tags

Komuna e Gjakovës do të jap në shfrytëzim afat shkurtër 21 dyqane që janë pronë komunale. Ky propozim ka ardhur me një vendim të kryetares së komunës, Mimoza Kusari-Lila, ndërsa është bërë publik në takimin e sotëm të Komitetit për Politikë e Financa, ku është prezantuar nga vet kreu i komunës, Kusari-Lila. Deri tek ky vendim ka ardhur pas një procesi për identifikimin e pronës komunale, përkatësisht dyqanave, që është bërë për herë të parë pas 18 viteve. Sipas kryetares Kusari –Lila, komuna ka në pronësi 59 dyqane, mirëpo në fazën e parë do të jepen në shfrytëzim vetëm 21 prej tyre, për shkak se një pjesë tjetër e dyqaneve të komunës është e kontestuar nga individ të cilët kërkojnë t’ju njihet e drejta e pronësisë, një pjesë tjetër funksionojnë në objekte të përkohshme e që me plane urbanistike parashihet realizimi i projekteve të interesit te veçantë, ose janë dyqane që janë të pa funksionalizuar asnjëherë më pare.

Afati i dhënies në shfrytëzim i dyqaneve të Komunës është paraparë të jetë deri në 5 vjet, duke i dhënë të drejtën në mënyrë të barabartë të aplikojnë edhe shfrytëzuesit e sotëm të këtyre dyqaneve.

Ky Propozim – Vendim është mbështetur nëmënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e KPF-së, përfshirë edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë pos që kanë konstatuar se identifikimi dhe regjistrimi i këtyre pronave është një punë e mirë e komunës, kanë kërkuar që procesi i dhënies në shfrytëzim i tyre të bëhet nëmënyrë transparente.

Anëtarët e KPF-së po ashtu nëmënyrë unanime kanë miratuar edhe Propozimin tjetër të kryetares Mimoza Kusari – Lila, e cili parasheh ndryshimin e një vendimi të vitit 2008 për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Sipas këtij propozimi, komuna merr të drejtën t’i rikthejë një numër të caktuar të pronave të, pronarët e të cilëve i shfrytëzojnë ato jashtë kontratës apo edhe nuk i shfrytëzojnë fare.

Komiteti për politikë dhe Financa gjithashtu në unanimitet ka miratuar edhe pikat tjera të rendit të ditës, duke ua dhënë atyre dritën e gjelbër për diskutim në mbledhjen e radhës së Asamblesë komunale. Në mesin e pikave të miratuara kanë qenë edhe konfirmimi për kodin e veçantë buxhetor për Projektin e ri “Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujerave të zeza dhe rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve “ në Gjakovë, themelimi i Komitetit Konsultativ për Mbrojtjen e Mjedisit dhe pika të tjera të cilat kryesisht kishin të bënin me ndryshime apo lëvizje urbanistike në zona të caktuara.