Ngrohtorja mbetet pa mazut
Gjakovë- Shfrytëzuesit e ngrohjes termike nga Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë, serish kanë mbetur pa ngrohje qendrore gjë e cila padyshim se i shton problemet e tyre gjatë këtyre ditëve të ftohta të dimrit.
Si jemi njoftuar nga Astrit Dema, drejtor, deri tek ndërprerja e furnizimit me energji ngrohëse ka ardhur në mungesë të lëndës së parë mazutit. Sipas tij, edhe pse ekziston kontrata me furnitorin, ai refuzon të furnizoi ngrohtoren me mazut në mungesë të mjeteve materiale.
Demaj për Radio Gjakovën ka thënë se ngrohtorja ka informuar institucionet qendrore për domosdoshmërinë e subvencionimit shtesë për sigurim të mazutit ndërkohë që lidhur me gjendjen në ngrohtore janë informuar edhe organet përkatëse komunale, duke u nisur nga fakti se ngrohtorja vepron nën ombrellën e komunës.
Në një situate të tillë, Demaj ka apeluar tek konsumatorët që të paguajnë për energjinë e shfrytëzuar, në mënyrë që me mjetet e grumbulluara të sigurohet mazuti. Në anën tjetër, drejtori Demaj nuk ka shpjeguar se pse sigurimi i mazutit nuk është bërë paraprakisht për të gjithë sezonën ngrohëse./radiogjakova/










