.
Published On: Thu, Sep 14th, 2017

Nisi para 5 vitesh, rregullimi i shtratit të lumit Krena ende s’ka përfunduar

Share This
Tags

Projekti për rregullimin e shtratit të lumit Krena i nisur para 5 vitesh, ende nuk ka përfunduar. Për këtë projekt që financohet dhe implementohet nga Ministria e Mjedisit nuk kanë asnjë informacion në Drejtorinë e Urbanizmit të Gjakovës.

Zyrtarë të kësaj drejtorie thonë se ministria nuk i njofton në lidhje me ecurinë e këtij projekti dhe se kompania që kryen punime apo mbikëqyrësit nuk i raportojnë atyre.

Në Drejtorinë e Urbanizmt nuk e dinë as në cilën fazë gjenden punimet për rregullimin e shtratit të lumit Krena.

Memorandumi i bashkëpunimit për rregullimin e shtratit të këtij lumi ishte nënshkruar në korrik të vitit 2012 nga ministri i atëhershëm i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi dhe ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj. Nga ai vit deri më sot janë ndryshuar tre ministra të Mjedisit.

Në këtë memorandum thuhej se punimet e ndara në tre faza duhej të përfundonin në vitin 2014. Por, deri atë vit, ishte rregulluar vetëm një pjesë, ndërsa u dha afat viti 2016 për përfundim të punimeve.

Por, sot, edhe një vit pas afatit të dytë për mbyllje të punimeve ato nuk kanë përfunduar.

Më të shqetësuar padyshim që janë banorët, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga shembja e dheut gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit kur priten reshje shiu e bore./radiogjakova/