Nisma për Kosovën, përçahet dega e Gjakovës
Subjekti politik, Nisma për Kosovën, dega në Gjakovë ka filluar të përçahet ditëve të fundit dhe kjo ka kulmuar edhe me largimin e disa anëtarëve nga ky subjekt. Ish kandidati për deputet nga ky subjekt, Naim Hasanaj ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se komplet strukturat e kësaj dege kanë dhënë dorëheqje, kështu që, sipas tij, në “Nismë” tashmë kanë mbetur disa individë, për të mos thënë se ajo tashmë është shuar në tërësi.
Hasanaj ka shtuar se kjo ka ndodhur për faktin se kohëve të fundit udhëheqësit e degës e kanë injoruar në tërësi anëtarësinë, e gjithashtu kjo degë është injoruar edhe nga niveli qendror. Por, të gjitha pretendimet e Hasanajt janë hedhur poshtë nga kryetari i degës së Nismës Fazli Hoxha. Përmes një tjetër komunikate, Hoxha thotë se Naim Hasanaj ka qenë një anëtarë i thjeshtë i Nismës dhe largimi i tij është thjeshtë largim individual, pasi nuk e ka askënd prapa tij.
Hoxha ka thënë se dega e Nismës në Gjakovës nuk është shuar, por përkundrazi ajo po vazhdon të forcohet çdo ditë e më tepër./radiogjakova/