.
Published On: Wed, Sep 17th, 2014

Një rrugë e re brenda Çarshisë

Share This
Tags

carshia-gjakova11Komuna e Gjakovës, gjegjësisht drejtoria komunale e Urbanizmit, ka vendosur që të hapë një rrugë të re në Çarshinë e vjetër, e cila pos që do të krijojë lehtësira më të mëdha për qarkullimin e makinave, gjithashtu do ta lirojë nga veturat sheshin “Loma e Drithit”, i cili do të mbetet ekskluzivisht për këmbësorë.

Rruga e cila planifikohet të hapet nuk llogaritet të jetë më e gjatë se 500 metra, ndërsa e njëjta fillon nga objekti i njohur si kulla dhe përfundon në afërsi të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, konkretisht në vendin ku aktualisht gjendet parkingu i këtij objekti, ndërsa shtrihet përgjatë objektit të familjes Haxhibeqiri. Me hapjen e kësaj rruge, planifikohet që të lidhet rruga që vjen nga “Hani i Haraqisë” për të vazhduar në drejtimin nga “Sahat Kulla”.

Sipas zyrtarëve të drejtorisë së urbanizmit, kjo rrugë do ta kompletonte qarkullimin transit të tërë gjatësisë së Çarshisë dhe në të njëjtën kohë do tu mundësonte qytetarëve që të kenë qasje me makinat e tyre në tërë gjatësinë e Çarshisë.

Sipas ekspertëve, kjo rrugë pos që do të ketë ndikim pozitiv në lirimin e hapësirave të Çarshisë, do të krijojë edhe qasje më të lehtë në objektin e QKMF-së. Projekti për hapjen e kësaj rruge ka përfunduar, ndërsa mësohet se komuna tashmë ka filluar negociatat e shpronësimit për disa prona që janë të ndërtuara në atë lokacion./radiogjakova/