.
Published On: Thu, Aug 18th, 2016

NK ”Çabrati”: Obliguesit të shfrytëzojnë Ligjit për faljen e borxheve

Share This
Tags

Që nga përfundimi i luftës, përkatësisht nga viti 1999, qytetarët e komunës së Gjakovës kanë grumbulluar një borxh të madh ndaj Ndërmarrjes Komunale ”Çabrati” për shërbimet e kryera, gjë e cila drejtpërsëdrejti reflekton në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. Muaji shtator, kur skadon vlefshmëria e Ligjit për faljen e borxheve është shumë afër, ndërsa Nora Gola, drejtoreshë e kësaj ndërmarrje, është shprehur e pakënaqur me interesimin e qytetarëve për të shlyer borxhin ndaj kësaj organizate. Gola, ka theksuar se numri i konsumatorëve të cilët, në vartësi nga lartësia e borxhit, do të ju fshihet ai, është i vogël krahasuar me numrin e atyre që kanë borxh shumë më të madh.

Problemet më të theksuara të Ndërmarrjes komunale për Bartjen e Mbeturinave, “Çabrati” kur është fjala tek shërbimet e kryera të kësaj ndërmarrje janë tek objektet kolektive të cilat vazhdojnë në forma të ndryshme t’i shmangën pagesës për bartjen e mbeturinave. Nisur nga kjo, zyrtarët e “Çabratit”, kanë filluar përpilimin e listave ku përfshihen ata qytetarë ndaj të cilëve, në rast të mos shlyerjes së borxheve, do të aplikohet pagesa e detyruar përmes rrugëve ligjore përkatësisht institucionit të përmbaruesit, që obligon ngarkesa shtesë ndaj tyre.