Pelegrinët serbë vizitojnë Gjakovën
Tre autobusë me qytetarë serbë kanë ardhur mëngjesin e së hënës në Gjakovë për të kremtuar festën fetare të emrit të kishës së qytetit, Festa e Zojës.
Për këtë arsye, në rrugën afër kishës ortodokse ka pasur forca të shtuara policie për të siguruar rendin dhe qetësinë.
Në lutjet e kësaj feste mori pjesë edhe ish-kryetari i Gjakovës gjatë regjimit serb Gjokica Stojanoviç, që bëri apel institucioneve kosovare dhe serbe për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Gjakovës dhe Kosovës.
Pas lutjeve, të ardhurit nga Serbia qëndruan në oborrin e kishës, ndërsa rreth orës 11:00 të paraditës janë larguar nga qyteti i Gjakovës për të vazhduar sipas axhendës së tyre.
Policia në Gjakovë nuk njoftoi për ndonjë incident gjatë kohës së qëndrimit të qytetarëve serbë në komunën e Gjakovës./radiogjakova/