Përçahet PDK-ja e Gjakovës
Gjakovë- Nga zgjedhjet e 3 nëntorit doli me rritje të konsiderueshme, gjegjësisht me numër të trefishuar të votave, por në fakt dega e PDK-së në Gjakovë duket të jetë humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Anipse pas zgjedhjeve të balotazhit, kjo degë kishte arritur një marrëveshje koalicioni me kryetaren Mimoza Kusari – Lila, disa zhvillime të mëvonshme bënë që ky koalicion të mos realizohej deri me tani. Në fakt, ishin disa “lojra” që dega e PDK-së i bënte me emrin e nënkryetarit ato që siç duket e nervozuan kryetaren Kusari – Lila dhe e nxitën atë që ta anulojë këtë marrëveshje dhe të orientohet në një qeveri profesionistësh.
Ndërkohë, burime të gazetës Zëri kanë bërë të ditur se mbetja jashtë koalicionit e ka rritur pakënaqësinë brenda degës së PDK-së, anëtarë të së cilës tashmë po e kërkojnë ndëshkimin e atyre që ndikuan që PDK-ja të mbetet pa pushtet. Kjo gjë ka bërë që situata brenda partisë të jetë mjaft e tensionuar. Sipas këtyre burimeve, anëtarësia po e drejtojnë gishtin e fajsisë tek kryetari Hajdar Beqa dhe dy nënkryetarët Artan Nimani e Ilir Beqiri, të cilët kanë instituar që nënkryetar të jetë i papranueshmi nga Kusari – Lila, Artan Nimani.
“Zyrtarisht nuk jemi në koalicion qeverisës dhe kjo është bërë për teket e disa individëve brenda partisë. Më vjen keq ta thm por si parti jemi treguar shumë joserioz gjatë këtij procesi”, ka thënë sekretari i degës Agon Dobruna, i cili megjithatë nuk ka pranuar ta konfirmojë informacionin se kryetari dhe dy nënkryetarët po konsiderohen si fajtorë të dështimit. “Nuk dua të flasë më tepër, atë që duhet ta them, do ta them në mbledhjen e ardhshme të kryesisë”, ka shtuar Dobruna.Nga ana tjetër, një informacion për përqarje të brendshme, mohohet kategorikisht nga kryetari i degës, Hadar Beqa. “Konsideroj se nuk kemi përqarje brenda degës së PDK-së në Gjakovë, por nuk e mohoj se mund të ketë pakënaqësi të inidividëve. Ne do ta kemi mbledhjen e kryesisë sonte (e premte) dhe aty do t’i shqyrtojmë edhe këto pakënaqësi, ashtu siç do ta shqyrtojmë edhe qështjen e koalicionit”, ka thënë Beqa.
Madje, Beqa nuk e pranon as faktin se koalicioni ka dështuar, duke thënë se për koalicion ekziston një marrëveshje e cila ende është valide. “Përderisa përfaqësohemi me dy njerëz në qeverinë lokale, me nënkryetarin dhe drejtoreshën e arsimit, konsideroj se koalicionin nuk është prishur, prandaj presim që në bazë të marrëveshjes me Kryetaren Kusari – Lila kjo e fundit t’i emërojë edhe drejtorët tjerë të mbetur. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë atëherë ne organet e partisë do të shqyrtojmë hapat e ardhësm”, ka thënë Beqa, shkruan gazeta “Zëri”.
Por në fakt, është vet kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ajo që i hudhë poshtë pretendimet e Beqës. Ajo thotë se marrëveshja që po pretendon Beqa, ka filluar të shkilet nga vet PDK-ja, ndërsa e ka konfirmuar faktin se në Gjakovë nuk do të ketë koalicion të nënshkruar me asnjë parti por do të ketë vetëm mundësi bashkëpunimi në mes të partive.“Në pikën kur filluan të dalin disa probleme në sipërfaqe, pas zyrtarizimit të koalicionit me PDK-në, u krijuar një ndjenjë sikur kemi hyrë në ciklin e pazareve me votën e popullit dhe ishte një vendim i imi se më me asnjë parti nuk bëj koalicion të nënshkruar. Ajo që mund të them është se zbatimi i marrëveshjes për të cilën pretendon kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë ka filluar të shkilet pikërisht nga ana e tyre, prandaj, ashtu siç kam thënë edhe më herët, nëse kemi marrëveshje do të kemi marrëveshje për qeverisje të mirë, do të kemi marrëveshje për vendime të cilat besojmë se do të jenë në të mirë të qytetarëve të Gjakovës dhe asgjë më tepër se kaq”, ka thënë Kusari – Lila.
Ndryshe, deri me tani Kusari – Lila ka emëruar dy persona nga PDK-ja në poste udhëheqëse. Ramadan Hoti është emëruar nënkryetar, ndërsa Diana Çarkagjija është emëruar drejtoreshë e Arsimit. Lidhur me këtë kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë Hajdar Beqa ka thënë se nëse eventualisht ndodhë që PDK-ja të tërhiqet nga koalicioni me AKR-në, atëherë do tu kërkohet dy antërave të partisë që gjithashtu të tërhiqen nga pozitat e emëruara. Por, një mundësi e tillë është mohuar nga dy zyrtarët tashmë të emëruar.“Jo, unë nuk tërhiqem nga posti. Unë vazhdoj të jem PDK, por nga posti nuk tërhiqem. Për të ardhur këtu jam propozuar nga dega e partisë dhe e kam pranuar këtë post sepse jam e interesuar për të sjellë ndryshime në Gjakovë. Pra, jam për ndryshime dhe nuk largohem nga posti”, ka thënë drejtoresha e Arsimit Diana Çarkagjija./zeri/