Përcaktohen përfituesit e banesave sociale
Pas një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar, më në fund është bërë prezantimi i përfituesve të banesave sociale në komunën e Gjakovës ku nga 219 aplikacione të dorëzuara, komisioni vlerësues ka përzgjedhur 42 përfitues.
Një informacion të tillë e ka bërë të ditur në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve, Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Ali Tafarshiku, i cili ka qenë në krye të komisionit për identifikimin e saktë të pronës komunale në Gjakovë, ka thënë se do të pasojë procesi i lirimit të banesave të cilat shfrytëzohen pa të drejtë, për të vazhduar me sistemimin e përfituesve të njësive banesore në fjalë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Gjakovës, Armend Vokshi, ka falenderuar komisionin për punën e bërë, ndërkohë që ka veçuar rëndësinë e respektimit të të gjitha procedurave të parapara me ligj.
Anëtarët e qeverisë komunale në Gjakovë, në mbledhjen e mbajtur kanë shqyrtuar edhe tri kërkesa të drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural pastaj shqyrtimin e tri kërkesave të drejtorisë së Kultures për mbështetjën e tri ngjarjeve kulturore, pastaj miratimin e vendimit për shpalljen e thirrjes publike nga ana e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për projekt propozimet e OJQ-ve, etj./radiogjakova/