.
Published On: Fri, Aug 12th, 2016

Përkujtohen trimat e lirisë

Share This
Tags

Te enjten, jane bëre 18 vjet, nga rënja e heroike e luftëtarëve, Përmet Vula, Elton Zherka, Bekim Berisha-Abeja dhe Bedri Shala, të cilët ranë në Betejën e Junikut. Me këtë rast u bënë homazhe dhe u vendosen kurora me lule mbi varret e dëshmorëve.

Rrugëtimi i tyre ishte heroik. Elton Zherka dhe Permet Vula me 18 prill të vitit 1998, së bashku me dymbëdhjetë të rinj gjakovarë nisen për në Junik, ku mobilizohen në radhët e UÇK-së. Eltoni dhe Përmeti sistemohen në njësitin sulmues “Komando” që vepronte në Junik të Zonës Operative të Dukagjinit, nën komandën e eprorit të mirënjohur Bekim Berisha – Abeja, ku marrin pjesë në luftimet që u zhvilluan në këtë rajon kundër forcave okupatore serbe. Më 9 gusht të vitit 1998, në vijën e frontit marrin pjesë në luftime të ashpra e të pandërprera që u zhvilluan në Junik. Në këto luftime u shquan Eltoni dhe Përmeti. Më 10 përkatësisht 11 gusht të vitit 1998, herët në mëngjes, forcat serbe ndërmarrin ofensivë të ashpër kundër istikameve të UÇK-së, duke granatuar pozicionet e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trimat e lirisë i kundërpërgjigjen sulmit me të gjitha llojet e armëve në dispozicion, me ç’rast shkatërrojnë tri tanke të armikut. Në këto luftime shquhen Elton Zherka dhe Përmet Vula, luftëtarë të paepur të lirisë të cilët, të mbetur në rrethim, bien heroikisht në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurr.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke përkujtuar këtë betejë si dhe luftëtarët e saj që ranë heroikisht ka thënë se heroizmi i tyre u shndërrua në shembull për qindra e qindra djem e vajza të Kosovës që iu bashkuan radhëve të UÇK-së në misionin e shenjtë të çlirimit të atdheut.