.
Published On: Wed, May 10th, 2017

Përkujtohet 10 maji, data kur u rrëmbyen 300 meshkuj

Share This
Tags

Më 10 maj 1999, pas dështimit në fushëbeteja të ndryshme, forcat policore e paramilitare serbe, organizuan një aksion të gjerë ndaj popullatës së pambrojtur në Gjakovë, me ç’rast nga shtëpitë, rrugët e gjetiu morën rreth 300 meshkuj.

Prej tyre mbi 150 u dërguan fillimisht në burgun e Pejës ku qëndruan 10 ditë e mëpas në burgun e Dubravës, ku përjetuan mizoritë e forcave serbe. Ata që i shpëtuan vdekjes u dërguan fillimisht në burgun e Lipjanit për të përfunduar në kazamatet serbe.

Në gjykimin e organizuar në Nish të Serbisë ata u dënuan me dënime drakonikiane, secili deri në 17 vite burgim, ndërkohë që pas ndërhyrjes së institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, në gjykimin e përsëritur, u shpallën të pafajshëm.

Shoqata “Thirrjet e Nënave” përkujtoi datën 10 maj 1999, njëherësh, 18-vjetorin e mungesës së më të dashurve, kur forcat policore, ushtarake serbo-malazeze në mënyrë të dhunshme i rrëmbyen, vranë e masakruan pjesëtarët e shume familjeve të qytetit të Gjakovës, të cilët pastaj i dërguan në varreza masive në Serbi për t’i fshehur gjurmët e krimit.

“Apelojme tek institucionet vendore e ndërkombëtare që të bëjnë presion ndaj shtetit të Serbisë që të tregojë vendndodhjen dhe kthimin e menjëhershëm edhe të 1mijë e 660 qytetarëve të Kosovës, që ende konsiderohen të zhdukur”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.