.
Published On: Fri, Jan 19th, 2018

Përmbaruesit i marrin 300 mijë euro Komunës

Share This
Tags

Rreth 300 mijë euro është shuma e mjeteve që Zyra e Thesarit deri më tash ka tërhequr njëanshëm nga xhirollogaria e komunës së Gjakovës për borxhet e mbetura ndaj kompanive të ndryshme për punët në vitet e kaluara.

Sipas drejtorit për Buxhet e Financa në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, Durim Halilaj, tërheqja e këtyre mjeteve është bërë gjatë muajit dhjetor, ndërsa sipas tij pritet që mjete të tjera të tërhiqen njëanshëm edhe në ditët në vazhdim, pasi ka edhe kompani të tjera që i kanë dërguar lëndët në përmbarues dhe pritet ekzekutimi i tyre.

Një ndër ato është edhe kontrata për ndërtimin e objektit të Handikos-it, që ka përfunduar si projekt në bashkëpunim me organizatën “Save dhe Children”, për të cilën qeverisja e kaluar komunale nuk ka planifikuar mjete.

Sipas Halilajt operatori këtë lëndë po ashtu e ka dërguar te përmbaruesit, e që do të dëmtojë buxhetin e komunës edhe për rreth 118 mijë euro, pasi këto mjete sipas tij nuk kanë qenë fare të planifikuara. Për këto mjete Komuna duhet të mendojë për një zgjidhje gjatë këtij viti.

“Ka edhe lëndë të tjera që presin të ekzekutohen përmes kësaj zyre dhe përmbaruesit në ditët në vazhdim”, tha ai.

Ndryshe, kryetari i komunës Ardian Gjini ka thënë se shumë shpejtë do të dalë publikisht për të treguar për shumën e borxheve që ka Komuna e Gjakovës trashëguar nga qeverisja e kaluar./radiogjakova/