Pika grumbullese dhe kosha të rinj mbeturinash në Gjakovë
Në kuadër të aktiviteteve të cilat për qëllim kanë përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit, ka filluar implementimi i projektit “Ndërtimi dhe rregullimi i pikave grumbulluese të mbeturinave”.
Ky projekt sipas drejtoreshës së Inspeksionit, Hana Zeka përmban 11 pika të grumbullimit të vendosura në lokacione te ndryshme të cilat kanë qenë pika ndotëse më herët, kryesisht pjesë përbërëse e banesave kolektive që janë ndërtuar para shumë dekadash.
Në kuadër të rregullimit të pikave grumbulluese është paraparë shtrimi i sipërfaqes ku vendosen kontejnerët e rinj, si dhe punimi i rrethimit dhe mbulesës nga llamarina.
Sipas Zekës projektimi i këtyre hapësirave është bërë duke respektuar standardet dhe normativat urbanistike, ku varësisht nga lokacioni dhe numri i banorëve, do të vendosen dy tipe të pikave grumbulluese ato me 2 kontejnerë dhe me 4 kontejnerë.
Po ashtu, me qëllim të mbrojtjes së ambientit janë vendosur edhe 73 kosha mbeturinash të rinj nëpër disa rrugë, të cilat do të zëvendësojnë koshat e vjetër dhe të dëmtuara duke plotësuar edhe hapësirat në të cilat është vërejtur mungesa e tyre.
Vendosja e këtyre koshave është bërë në rrugët “Gjergj Sokoli”, “Bardhyl Çaushi”, “Nënë Tereza” dhe “Skënderbeu”./radiogjakova/