.
Published On: Tue, Aug 25th, 2015

Po vazhdojnë punimet në restaurimin e Urës së Terzive

Share This
Tags

Gjakova - Ura e TerziveJanë duke vazhduar punimet në restaurimin e Urës së Terzive në Gjakovë, njërit ndër objektet më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Mësohet se përveç ekspertëve vendas, në këtë projekt është ftuar të ndihmojë edhe profesorin nga Shqipëria, Valter Shtylla. Profesori është i njohur në punën që e ka bërë në Kosovë, në konzervimin e disa urave, përfshirë Urën e Tabakut dhe atë të Taliqit në Gjakovë, Urën e Zllakuqanit e të tjera.

Sipas Osman Gojanit, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, për faktin se Ura e Terzive është një objekt me rëndësi të madhe, kulturo–historike, ndihma e profesorit Shtylla është e domosdoshme.

Mjetet për këtë projekt janë siguruar nga Organizata suedeze “Trashëgimia Kulturore pa kufij” – CHwB, e cila për konzervimin e Urës së Terzive ka dhënë një shumë rreth 35 mijë euro.

Ndryshe, Ura e Terzive është ndërtuar rreth vitit 1730 nga prodhuesit gjakovar të rrobeve, apo terzitë siç njiheshin asokohe, me qëllim të lidhjes së Gjakovës me Prizrenin dhe Shkupin, qytete ku terzitë shisnin prodhimet e tyre.