Presidenti Nishani viziton Gjakovën
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në kuadër të vizitës zyrtare që i bëri Kosovës, të premtën në mbrëmje qëndroi edhe në Gjakovë.
Me këtë rast në “Çarshinë e Jupave” është takuar me kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ku u njoftua me përpjekjet që Komuna e Gjakovës po bënë në zhvillimin e përgjithshëm dhe në krijimin e kushteve më të mira për popullatën si dhe për bashkëpunimet ndërkufitare.
Presidenti Nishani përgëzoi punën e kryetares së Gjakovës si një model i politikës shqiptare.
“Ju vlerësoj për punën tuaj dhe për dimensionin shumë të rëndësihëm që bashkë me bashkëpunëtorët tuaj dhe në tërësi Gjakova dhe gjakovarët i kanë dhënë dimensionit të Kosovës dhe dimensionit kombëtar shqiptar”, tha Nishani.
Në anën tjetër, kryetarja Mimoza Kusari-Lila vizitën e tij e ka quajtur si një nder të madh që i është bërë komunës së Gjakovës, pikërisht për afërsinë që banorët e Gjakovës ndjejnë për Shqipërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar.
Ajo ka shtuar se Komuna e Gjakovës çdo ditë e më tepër është duke e intensifikuar bashkëpunimin me shtetin shqiptar, me të vetmin qëllim që të ofrojë ura lidhjeje e bashkimi në mes të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.
Me këtë rast Kusari-Lila ka përmendur projektet e shumta të përbashkëta me Shqipërinë, me theks të veçantë projektet ndërkufitare, përmes së cilave synohet bashkimi shpirtëror e ekonomik me Malësinë e Gjakovës.
Për vizitën e Presidentit Nishani, të shtunën në orët e mëngjesit rrugët dhe sheshet kryesore të Gjakovës kanë qenë të stolisura me flamuj kombëtarë.