Pritet të ndërtohet biblioteka e xhamisë së Hadumit
Biblioteka e njohur e Xhamisë së Hadumit, pritet të ringritet së shpejti. Rindërtimi i këtij objekti pritet të bëhet nga ekspertë nga Turqia, ndërsa financimin do ta bëj vakëfi i këtij shteti, institucion i cili menaxhon me të gjitha pronat e Perandorisë Osmane.
Lidhur me këtë projekt, ditë më parë në Gjakovë kanë qëndruar përfaqësues të këtij institucioni, të cilët kanë garantuar se ky projekt do të realizohet shumë shpejtë, dhe krahas Xhamisë së Hadumit, do të jetë i ngritur edhe objekti i bibliotekës.
Objekti në fjalë ishte djegur gjatë luftës së fundit, së bashku me xhaminë dhe të gjitha objektet tjera përcjellëse.Me djegien e saj kishte humbur edhe një numër i konsiderueshëm i librave, në mesin e të cilëve edhe botime unikate për historinë e qytetit të Gjakovës.
E përpos bibliotekës, i njëjti donator do të investojë edhe në ndërtimin e medresesë së vogël, institucion i cili në të kaluarën ka edukuar breza të tërë dhe atë jo vetëm nga Gjakova. Këto dy investime janë mirëpritur nga përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës por edhe nga përfaqësuesit e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në këtë komunë./radiogjakova/