.
Published On: Fri, Dec 15th, 2017

Profilizimi i ri i mësimdhënësve shihet me dyshim

Share This
Tags

Ministria e Arsimit po synon të profilizojë mësimdhënësit për nivelin e nxënësve nga klasa e parë deri në të pestë.

Më saktë, kjo ministri parasheh që të ketë një mësuese për klasën e parë, një për të dytën e kështu me radhë deri në të pestën, e jo si deri më tani që një mësuese ka përcjellë të njëjtit nxënës nga klasa e parë deri në të pestën. E gjithë kjo thuhet se ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsim.

Drejtoresha e Shkollës Fillore “Këlmend Rizvanolli” Valma Kamishi Zeka thotë se ndoshta ky profilizim mund të jetë i dobishëm, por kërkon që fillimisht i njëjti të pilotohet pasi nuk mund ta dimë me siguri se çfarë rezultatesh të presim.

“Profilizimi i mësimdhënësve së pari duhet të pilotohet dhe të shihet nëse është model i suksesshëm apo jo. Profilizimi ndoshta është një gjë e mirë, por varet edhe prej shumë faktorëve brenda shkollave si përgatitja e mësimdhënsve, mosha biologjike dhe dëshirat e mësimdhënësit”, u shpreh Kamishi.

Ajo pranon se në shkollën që drejton kanë nisur diskutimet për profilizimin.

“Ne në shkollë e kemi diskutuar pak dhe ka mendime të ndryshme. Një mësuese e ka me dëshirë që të jetë mësuese e një viti të caktuar, për shembull e klasës së parë, tretë apo të pestë. Sidoqoftë, kjo ende është një ide që po diskutohet në tryezë. Nuk ka asgjë konkrete, por shpresojmë që Ministria e Arsimit të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur dhe e gjithë kjo do të përfundojë në të mirë të arsimit”, vijoi Kamishi.

Kundër këtij propozimi është drejtori i Shkollës së Mesme të Ulët “Mazllum Këpuska”, Arbënor Pozhegu, që tashmë i ka drejtuar kërkesën ministrit të Arsimit që e njëjta të hidhet poshtë. Ai rendit arsyet pse propozimi për profilizimin e mësimdhënësve nuk është ide e mirë.

“Ideja që te kemi për çdo vit mësuese të ndryshme është gabim. Pse? E para, kemi raste, shpresoj të pakta, kur mësueset nuk janë në nivelin e duhur, tani paramendoni çfarë mund t’ju shkaktojë një gjenerate nxënësish një mësuese apo mësues i papërgatitur, edhe nxënësit do të mbesin përjtë të papërgatitur. E dyta, mësuesja ose mësuesi është personi i dytë më i dashur për nxënësit dhe tani atij i duhet të ndërrojë çdo vit mësuesin. Tek nxënësi ka ndikim personaliteti dhe përgatitja e mësimdhënësit”, u shpreh Pozhegu.

Ai kërkon që në të tilla diskutime kur synohet të impelementohet diçka e re në mësimdhënie, të merret parasysh edhe mendimi i mësimdhënësve.

“Kur duan të marrin vendime, ministria duhet të ketë parasysh edhe mendimin e akterëve kryesorë, atë të mësimdhënësve. Jo i të gjithëve, por i atyre që janë më të dallur e që konsideroj që të tillë ne kemi në Gjakovë, por ka gjithandej edhe në Kosovë, që mund të japin gjykime rreth kësaj çështje”, deklaroi Pozhegu.

Megjithëse profilizimi ende mbetet si propozim, implementimi i mundshëm i saj, sipas Ministrisë së Arsimit, nuk parasheh largimin nga puna të mësimdhënësve aktualë./radiogjakova/