Projekti me Bankën Botërore, “Radoniqi-Dukagjini” do të zgjerojë sistemin e ujitjes
Edhe pse temperaturat kanë prekur gati 40 gradë, gjendja e kulturave bujqësore në rajonet ku mbulohet nga Kompania e Ujitjes “Radoniqi-Dukagjini” është e mirë.
Drejtori i kësaj kompanie, Jahja Kadrija, u shpreh se janë munduar të eliminojnë me kohë problemet dhe për prodhuesit bujqësorë të ketë furnizim të mjaftueshëm për mbi 5 mijë hektarë toka bujqësore që janë nën ujitje.
Një lajm i mirë për këtë kompani është se do të jetë përfituese me një projekt pas një marrëveshje për kredi mes Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financave. Ky projekt do të ndahet në dy faza. Në të parën do të bëhet studimi i fizibilitetit dhe rehabilitimi i objekteve dhe kanaleve ekzistuese të ujitjes së kësaj kompanie.
Pas përfundimit të fazës së parë, Banka Botërore dhe kompanitë e kontraktuara nga ajo, do të nisin punën për të ndërtuar një sistem të ri të ujitjes. Sipas projektit, parashikohet të mbulohen edhe mbi 8 mijë hektarë.
Drejtori Jahja Kadrija tregoi për Radio Gjakovën se ky sistem i ri i ujitjes do të shtrihet në pjesën më pjellore përfshirë fshtarat Podrime, Vraniq, Bec dhe një pjesë të zonës së Rugovës. /radiogjakova/