Promovohet “Feniksi” i Haxhi Morinës
Me organizim të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” e në mbështetje të Komunës së Gjakovës, në Bibliotekën Rajonale “Ibrahim Rugova” është bërë promovimi i përmbledhjes me poezi me titull “Feniks” të autorit Haxhi Morina.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast studiuesi nga Tirana ,Behar Gjoka ka thënë se “poezia e autorit Haxhi Morina është poezi e atyre që mërgojnë nga atdheu shqiptarë, por që ashtu si dallëndyshet ata kthehen dhe në këtë shtegtim në mes të qiellit të një atdheu tjetër ku kanë shkuar të banojnë dhe atdheut që kanë lënë pas, poezia fiton një përmasë tjetër”.
Ndërkaq krijuesi dhe poeti Qemajl Juniku, në fjalën e tij ka thënë se në poezinë e autorit Haxhi Morina, gjendja shpirtërore e autorit merr formën e një gjendje të thellë kolektive.
Në anën tjetër studiuesi nga Prishtina, Flamur Maloku, është shprehur se autori në këtë përmbledhje hap shkrimin e jetës për ta dhënë atë që e quajmë figurë e jetës, e cila sipas tij, del goxha e brishtë. Promovimi i përmbledhjes me poezi me titull “Feniks” të autorit Haxhi Morina, është shoqëruar me deklamimin e pjesëve të kësaj përmbledhje nga doajeni i skenës, Sylejman Lokaj./radiogjakova/










