Promovohet “Lufta e ndyrë e shërbimit sekret” e Bajram Mehmetit
Të shtunën në mesditë u promovua vepra “Lufta e ndyrë e shërbimit sekret” të autorit Bajram Mehmeti, vepër kjo e cila ditë më parë doli nga shtypi nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë.
Para shumë pjesëmarrësve, në mesin e të cilëve edhe protagonistë real të kohës që përshkruhen në këtë vepër, redaktori Nazmi Rrahmani foli për biografinë jetësore të autorit, e me një këndvshtrim të posaçëm, edhe për përmbajtjen e veprës që është biografik, e ku autori është protagonist i shënjestrimit të shërbimit sekret jugosllav, si pasojë e të cilit e pëson me burg ne gjykimin e tij ushtarak që i bëhet në Beograd.
Muhamet Rogova, si personazh i veprës solli në kujtesë takimin e parë, para burgosjes me autorin dhe tregoi kronologjinë e ngjarjeve në të cilën ishte përfshirë autori Mehmeti.
“Ndonëse emri i Bajram Mehmetit është lakmuar në shërbimet sekrete jugosllave ky ka vazhduar shkollimin në Beograd. Atje i kanë vënë mbrapa njerëz për ta ndjekur, për të parë veprimet e tij, se me kë takohet e çfarë mendimesh ka. Kjo ka vazhduar deri në një moment kur, pas të gjitha torturave psikike, e vunë në kurth duke i ngritur edhe aktakuzën për veprime armiqësore e duke e dënuar në Beograd”, tha Rugova
Për veprën foli gazetari publicisti Kastriot Shehdadi. Ky i fundit shtoi se shqiptarët, si më të pambrojturit e asaj kohe, ishin shënjestër dhe objektiv në vete, e posaçërisht ndër ta u duheshin të shquarit, të dalluarit në fusha përkatëse, siç ishte rasti Bajram Mehmetin.
“’Lufta e ndyrë e shërbimit sekret’ përpos që tregon mundimet dhe vuajtjet e pandërprera të personazhit real, në këtë rast vet autori, njëherit është dëshmia më e mirë e harmonizimit të veprimeve të një agjenture, të një shërbimi shtetëror ideologjik që me patjetër kërkonte rezultatet e saja përmes personave dhe grupeve të cilësuar si irredentë, si nacionalizëm dhe shovinizëm”, u shpreh Shehdadi.
Në emër të klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe në emër të tijin personal ka përshëndetur krijuesi Muharrem Kurti. Ndërkaq, Halil Ahmeti në emër të këshillit organizativ përshëndeti të pranishmit.
Në fund, me një fjalë përshëndetëse dhe falënderuese, të pranishmëve iu drejtuar edhe autori Bajram Mehmeti, i cili jeton e vepron në Zvicër. Ai tregoi më shumë mbi përmbajtjen e librit.
“E përshkruaj një periudhë kur kam qenë në shkollën e mesme ushtarake dhe akademinë ushtarake në Beograd dhe kur shërbimi sekret jugosllav, ku kanë dominuar serbët, kanë tentuar pa sukses të më vejnë në shërbimin e tyre. Më kanë torturuar për të më thyer moralisht apo në mënyrë psikike. Kam qenë në izolim, pra i vetëm në qeli, për mbi 14 muaj. Për të shkruar këtë libër ka qenë e vështirë sepse ka qenë një përjetim i ngjarjeve, por jam ndjerë i obliguar që t’i shkruaj për t’i lënë brezave të ardhshëm vuajtjet e këtij populli për liri dhe pavarësi”, tha Mehmeti./radiogjakova/.