Protesta, Gjakova kërkon shkarkimin e Jabllanoviçit (FOTO&VIDEO)
Mijëra qytetarë të Gjakovës kanë protestuar në rrrugën kryesore të qytetit kundër ministrit të Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, i cili ditë më parë i quajti gjakovarët “egërsira”.
Protestës që u organizuar nga Shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, i janë bashkangjitur edhe përfaqësues të subjekteve tjera politike, në mesin e tyre edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila dhe deputetja Teuta Haxhiu. Kryetarja Kusari – Lila, me këtë rast tha se deklarata e Jabllanovic-it përveç që ishte e rëndë për qytetarët e komunës së Gjakovës ishte edhe ironike, për faktin se edhe në tentimin e tij për të kërkuar falje ai fyu për së dyti të vrarët, të maskaruarit dhe të gjithë ata që kanë vuajtur nga pushtimi serb.
Ajo shtoi se deklarata e Jabllanovicit është papëgjegjësi institucionale e njerëzore. E për këtë papërgjegjësi, protestuesit kanë kërkuar që kryeministri Isa Mustafa ta largojë nga pozita zëvendësin e tij Aleksander Jabllanovic. Nysrete Kumnova nga Shoqata “Thirrjet e Nënave” tha se ulëset në qeverinë e Kosovës janë të lara me gjakun e dëshmorëve e martirëve të Kosovës, prandaj në to nuk guxojnë të ulen kriminelët si Jabllanovic dhe kolegët e tij nga “Lista serbe”.
Ajo dhe protestuesit tjerë gjatë tërë kohës kanë bërë thirrje kundër Jabllanovicit, ndërsa në duar kanë mbajtur pankartat “Serbia nuk kalon në Gjakovë”, “Jabllanovic jashtë” “Kriminelët nuk kanë vend në Gjakovë” e të tjera. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë kërkuar përgjegjësi edhe nga institucionet e vendit. Sipas tyre janë pikërisht partitë politike kosovare që me insistimin e tyre kanë siguruar vendet e rezervuara për listën serbe, Jabllanovicin dhe kolegët e tij./radiogjakova/