.
Published On: Mon, Oct 27th, 2014

Punësimi i mësimdhënësve, kërkohen sqarime nga Qarkaxhiu

Share This
Tags

komuna-gjkShqyrtimi i raportit të punës së Drejtorisë komunale për Arsim në Gjakovë, ka zgjuar polemika të ndryshme në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë e Financa në Kuvendin komunal të Gjakovës. Lidhur me këtë kryesuesi i këtij forumi, Luan Gola, ka thënë se në komitetin për Politikë e Financa janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Është dërguar raporti me shkrim ndërkohë që është ftuar edhe drejtoresha e arsimit e cila për arsye të ndryshme nuk ka ardhur në këtë mbledhje.

Në anën tjetër, duke folur në emër të degës së AAK-së në Gjakovë, Dervish Tahiri, është shprehur tërësisht i pakënaqur me raportin duke e cilësuar si aspak të mjaftueshëm për diskutim. Ndër të tjera ai  ka kërkuar informata sa i përket punësimit të mësimdhënësve, duke pohuar se janë punësuar militant të subjekteve politike të cilët aktualisht qeverisin me komunën e Gjakovës.

Kur është fjala tek politizimi, sipas Ilhami Shalës nga dega e LDK-së në komunën tonë, ka thënë se kjo ka qenë e pranishme edhe në legjislacionin e kaluar dhe një gjë e tillë duhet të trajtohet. Në anën tjetër Luan Shllaku, nga AKR-ja në Gjakovë, kryetar i komitetit për arsim në Kuvendin komunal, ka thënë se lidhur me një raport më të thukët, është pritur raporti i auditorit. Ndryshe, anëtarë e komitetit për Politikë dhe Financa janë pajtuar që kjo çështje të trajtohet në mbledhjen e radhës të asamblesë komunale./radiogjakova/