Punimet në renovimin e Pallatit të Kulturës, nuk ecin në ritmin e paraparë

Punimet në renovimin e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, po zhvillohen me pengesa meqë ende nuk janë liruar të gjitha hapësirat të cilat duhet të rinovohen. Bëhet fjalë për hapësirat e pallatit të cilat janë dhënë në shfrytëzim për qëllime të ndryshme, e posaçërisht për Qendrën Rinore e cila ende nuk është liruar, dhe kjo po ndikon në ritmin e punës.
Lidhur me këte, drejtori i Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjakovë, Meriton Ferizi, ka thënë se sot është dita e fundit për lirimin e hapsirave në fjalë.
Nisur nga fakti se në javën e parë të muajit të ardhëshëm nisë festivali “Komedia Fest”, punimet në renovimin e pjesëve funksionale të Pallatit të Kulturës në Gjakovë, duhët të përfundojnë para fillimit të këtij eventi teatror.
Ndryshe, për renovimin e këtij objekti kapital të kulturës në Gjakovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete në shumë prej 50 mijë euro, ndërkohë që Drejtoria komunale për Kulturë, Rini e Sport në Gjakovë, shumën prej 40 mijë euro.
Nëse kësaj shume i shtohet edhe investimi i paraparë i fotografit të njohur me përmasa botërore, Fadil Berisha, atëherë totali i mjeteve arrin vlerën investuese prej 100 mijë euro. Sipas kontratës, këto punime do të kryhen brenda gjashtëdhjetë ditëve, mirëpo tashmë është e qartë se një zotim i tillë nuk do të përmbushet.










