.
Published On: Mon, Oct 9th, 2017

“Qeliza” organizoi tyrezë për “Axhendën e barazisë gjinore në demokracinë lokale”

Share This
Tags

Rrjeti i Grave “Qeliza” organizoi të hënën në Gjakovë tryezën me temë “Axhendat e barazisë gjinore në demokracinë lokale” me pjesëmarrjen e kandidatëve femra dhe meshkuj për Asamblenë komunale të Gjakovës.

Vjollca Kuqi, nga kjo OJQ, tha se takimi kishte për qëllim që përfaqësuesit e partive politike dhe këshilltarët t’i adresojnë sfidat e arritjes së barazisë gjinore në komunë, problemet që i kanë identifikuar para dhe gjatë kandidimit, si dhe sa do angazhohen në përmirësimin e gjendjes së punësimit, arsimit, shëndetësisë, kulturës etj.

Kandidatja e Alternativës për Asamble dhe drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Silvana Domi, tha se subjekti i saj synon që femrat të jenë të përfshira në çdo sektor.

Ish-asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje që kërkon besimin edhe për një tjetër mandat, Mimoza Shala, tha se femrat përgjithësisht janë të përfaqësuara në politikë për shkak edhe të kuotave, por kërkoi që zëri i tyre të jetë më i pranishëm në vendimmarrje.

Përfaqësuesja e AKR-së në këtë tryezë, Leonora Dautaga, shprehu shqetësimin e saj për punësimin e grave. Ajo tha se duke u nisur prej historikut dhe problemeve, gratë në Kosovë janë të nënpërfaqësuara në tregun e punës.

Një tjetër asambleiste e mandatit të kaluar, Genta Domi e LDK-së, tha se subjekti i saj i jep rëndësinë e duhur femrave. Ajo theksoi se në rast se qeverisja e ardhshme komunale do të drejtohet nga LDK, do të ketë femra udhëheqëse në Kuvendin Komunal.

Kjo tryezë vazhdoi me shpalosjen më në detaje të programeve të partive politike pjesëmarrëse si dhe me bashkëbisedim me pjesëmarrësit e tjerë të cilët u interesuan për planet për përmirësimin e gjendjes së punësimit për gratë./radiogjakova/