Qendra e Mjekësisë së Punës vuan mungesën e mjekëve
Në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, si institucioni i vetëm shëndetësor terciar në vend, çdo ditë e më shumë është duke u rritur numri i shërbimeve të ofruara për pacientët.
Ndonëse ka numër më të vogël të mjekëve krahasuar me dy vite më herët, ky institucion shëndetësor gjatë vitit të kaluar ka pasur rreth 70 mijë vizita, ose 8.5 përqind pacientë më shumë se në periudhën e një viti më herët.
Drejtori i kësaj qendre mjekësore, dr. Luan Nagavci tha se vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti ka pasur rritje të shërbimeve për 46 përqind, krahasuar me gushtin e vitit 2016.
Por shqetësuese në këtë institucion po shihet mos interesimi i mjekëve të rinj për të punuar në këtë qendër që do të shtonte edhe më shumë numrin e shërbimeve për pacientët.
Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës në Gjakovë prej vitit 2015 është duke kërkuar disa mjekë specialistë të disa profileve, për të mbuluar disa vende të lira, por edhe për të rritur gamën e shërbimeve dhe ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarë.
Por sipas dr.Luan Nagavcit, ndonëse disa herë janë hapur konkurse, fatkeqësisht nuk ka pasur të interesuar për të shërbyer në këtë qendër.
Sipas tij, ka nevojë për profile si internist- kardiolog, pulmolog, radiolog, mjekësi të punës dhe psikiatër. Sipas drejtorit Nagavci pritet që të hapet një konkurs i ri për të plotësuar qendrën me këto profile./radiogjakova/