.
Published On: Sat, Jul 25th, 2015

Qentë endacakë, fillon vaksinimi i tyre

Share This
Tags

qen-endPas shumë përpjekjeve për të menaxhuar situatën me qentë endacakë në komunën e Gjakovës, të premten ka nisur aksioni për mbledhjen dhe dërgimin e tyre në strehimore ku do të bëhet vaksinimi dhe sterilizimi i tyre.

Siç ka njoftuar Kusari-Lila përmes rrjeteve sociale, qentë gjithashtu do të bartin në vesh shenjën identifikuese të Komunës së Gjakovës në mënyrë që të dihet saktë numri i tyre dhe të përcillet zvogëlimi i qenëve në etapa kohore.

Me pak fjalë, duke njohur dhe përvojat në disa komuna dhe bashki të Kosovës e Shqipërisë, dhe duke nënkuptuar nga fjalët e Kusari-Lilës, qentë endacakë do të merren, do të vaksinohen dhe do të lëshohen prapë në rrugë, por kësaj radhe ata nuk do të jenë të dhunshëm dhe nuk do të mund të shumohen.

Sipas kryetares Kusari-Lila, Komuna e Gjakovës implementimin e këtij projekti e ka fillar me mjetet e vetanake, dhe njëkohësisht ajo ka ftuar komunat tjera dhe qeverinë të fillojnë me një iniciativë të tillë, në mënyrë që zgjidhja në nivel vendi të bëhet në të njëjtën kohë, gjë e cila garanton edhe suksesin e këtij aksioni.