.
Published On: Sat, Jan 6th, 2018

Qytetarët protestojnë, anulohet vizita e serbëve në Kishën ortodokse

Share This
Tags

Me moton “Gjakova nuk harron kërkojmë drejtësi”, të shtunën në Gjakovë u protestua kundër ardhjes së pelegrinëve serbë të dyshuar si të përfshirë në krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë.

Protestuesit janë shprehur të indinjuar me siç thonë ata “kamuflimin e kriminelëve të luftës si vizitor-pelegrinë”. Ata mbanin në duar fotografi të familjarëve të tyre të vrarë gjatë luftës si dhe foto të atyre që ata pretendojnë se morën pjesë në vrasje.

Protestuesit janë shpërndarë të qetë gjysmë orë pas nisjes së protestës, pasi kanë marrë konfirmimin e policisë së Kosovës se ardhja e pelegrinëve serbë në Kishën ortodokse të Gjakovës është anuluar.

Komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj ka thënë se për mosardhjen e serbëve kanë marrë konfirmimin nga zinxhiri komandues, edhe pse ishin bërë të gjitha përgatitjet operacionale.

Ideal Zhaveli një nga anëtarët e këshillit organizativ, tha se qëllimi i kësaj proteste ishte “për të shprehur mendimin tonë në mënyrë paqësore dhe t’i tregojmë se këta njerëz që fshihen si pelegrinë nuk e kanë vendin këtu”.

Ndryshe, përfaqësues të shoqërisë civile në Gjakovë gjatë javës kanë deponuar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë kërkesën për ngritje të aktakuzës për krime lufte kundër ish-kryetarit të Gjakovës, Gjokica Stanojeviç.

Në letrën që shoqëria civile i ka dorëzuar kryeprokurorisë thuhet se në bazë të dëshmive që posedojnë, Stanojeviç duhet të gjykohet për krimet e bëra ndaj popullatës civile në këtë komunë gjatë vitit 1998-1999.

Zhaveli tha se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre me përgatitjen e padive të tjera, derisa drejtësia të shkoi në vend.

Pelegrinët serbë në mënyrë tradicionale vizitojnë kishën e Gjakovës për krishtlindjet ortodokse./radiogjakova/