“Radoniqi” rrit të hyrat, shton kapacitetet prodhuese
Gjakovë- Muajt e fundit duket se kanë qenë të suksesshëm për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi”. Nga shërbimi financiar i kësaj kompanie bëhet e ditur se kohëve të fundit është rritur inkasimi i borxheve dhe njëkohësisht edhe pagesat nga faturimi i rregullt i ujit të shpenzuar per cdo muaj.
Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, rritja e inkasimit ka pas ndikim pozitiv edhe në prodhimin e ujit, në faturim por edhe në zvogëlimin e humbjeve, të cilat kanë rënë në rreth 6 përqind. Në këtë kompani kanë bërë të ditur se të hyrat e vitit 2013 kanë qenë për 200 mijë euro më shumë se të hyrat apo inkasimi në vitin 2012.
Sipas Muhamet Lamës, zyrtar për marrëdhënie me publikun në këtë kompani, ndikim në rritjen e inkasimit ka pas edhe aplikimi i shërbimeve shtesë të pagesave, siç janë pagesa përmes postës së Kosovës dhe përmes sistemit elektronik “e –benking”. Sipas tij kjo u ka lehtësuar punën qytetarëve që të paguajnë dhe e ka rritur inkasimin e brendshëm.
Megjithatë, ai ka apeluar që qytetarët të vazhdojnë ta paguajnë ujin e shpenzuar, por edhe borxhet e deritashme, sepse vetëm me pagesa të rregullta kompania ka mundësi ta ngritë cilësinë dhe nivelin e shërbimeve për qytetarët./radiogjakova/