.
Published On: Thu, Jul 21st, 2016

Raporti i Auditorit për vitin 2015, ka qenë fokusimi kryesor i mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Gjakovës

Share This
Tags

Në Gjakovë sot është mbajtur mbledhja e shtatë për këtë vit e Kuvendit të Komunës. Pika e cila ka zgjuar një debat të gjerë nga asamblistët gjakovar ka qenë Diskutimi për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Vitin 2015. Vërejtjet më të mëdha i kanë prezantuar përfaqësuesit e opozitës në asamblenë komunale. Në këtë drejtim Anton Shala nga PSHDK dhe Agon Batusha nga Lëvizja Vetëvendosje kanë prezantuar të gjeturat negative të auditorit për të cilat, sic thanë ata, do të ketë pasoja zhvillimore të komunës.

Pas dëgjimit të vlerësimeve dhe vërejtjeve të bëra, të pranishmëve ju është drejtuar kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka prezentuar një përmbledhje të përgjithshme të vlerësimit të auditorit, ndërkohë që është ndalur edhe tek puna e zyrës së prokurimit, ku u përqendrua pjesa më e madhe e vërejtjeve të kuvendarëve. Ajo ka thënë se kjo zyrë vepron e pandikuar, dhe se pranimi i punëve të kryera është çështje e menaxhmentit të projektit, e jo e Zyrës së Prokurimit.

Duke iu përgjigjur kritikave për mos vazhdimin apo përfundimin e projekteve të nisura nga ish-qeverisja, kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka potencuar se pos borxhit të trashëguar në vlerë prej 6 milionë euro, gjithashtu ka trashëguar edhe 21 milionë euro të vlerës së projekteve të nisura pa zotim të atyre mjeteve.

Pronat komunale ka qenë ndër kritikat e oponencës në mbledhjen e sotme, për të cilën kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka rikujtuar se do të duhej të kryhej më herët nga ish – qeveritë, ndërkohë që tani jemi në proces, ku dihet çdo pronë banesore, të lokaleve dhe atyre bujqësore, e ku përmes Demos-it që ka angazhuar katër gjeodetë do të fillohet të bëhet edhe matja e tyre.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, fjalën e saj kundërshtuese ndaj oponencës e ka përmbyllur duke u bërë thirrje asamblistëve që para qytetarëve të mos prezantojnë paragjykime, por vetëm pyetje konkrete, dhe të jetë e qartë se nuk ka dhe nuk do të ketë vend në këtë qeverisje për vendime tendencioze.