Raportohet puna e Task Forces për regjistrimin e pronave komunale
Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës ka mbajtur mbledhjen e parë për vitin 2015, ku propozimet për rend dite të kryesuesit Luan Gola, janë miratuar dhe janë trajtuar. Fillimisht, Ali Tafarshiku, ka prezentuar raportin e Task Forces për verifikimin e regjistrit të pronave komunale, në të cilën rezulton se në saje të të dhënave të Drejtorisë së Urbanizmit në pronësi komunale janë 308 sish. Ndërkaq, Task Force me dokumentacione të poseduara ka evidentuar 201 prona komunale.
Sipas raportit të prezentuar nga Tafarshiku, prej 137 shfrytëzuesve të intervistuar, konstatohet se 57 lokale janë afariste ndërsa 144 objekte tjera janë banesa, të cilat evidentohen si prona komunale. Për të gjitha këto prona janë dhënë edhe sqarime për shfrytëzuesit, ku mbi 90% e tyre nuk posedojnë dokumentacione për shfrytëzim, mbi 60% janë pa vendim të Kuvendit të Komunës, 30% të rasteve i përkasin kategorisë së rasteve sociale, si kategori të luftës, 30% raste me të drejtë shfrytëzimi nga serbët si dhe 40% të rasteve që kanë prona dhe që kanë qenë përfitues të ndihmave për rindërtim.
Raporti i plotësuar edhe me detaje tjera ka marrur miratimin e anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa për shqyrtim në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal. Nga Basri Komani, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është prezentuar master-plani për kujdesin parësor shëndetësor në komunën e Gjakovës, me ç’rast ka pohuar se është një master-plan ku tregon qëllimin dhe vizionin për disa vite.
Nga Pjetër Ndou, anëtar i KPF-së nga subjekti politik AAK është kërkuar që të tërhiqet ky master-plan dhe të rihsikohet, e më pas të sillet në mbledhjen tjetër për shqyrtim. Ndërkaq, kryesuesi Luan Gola, ka dhënë edhe disa sugjerime dhe ide shtesë, pasi master-pani konsiston edhe në dinamizëm. Me këto sugjerime të kryesuesit Luan Gola, është miratuar kjo pikë e rendit të ditës e cila do të paraqitet para asambleistëve për trajtim në mbledhjen e Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet në fund të këtij muaji.
Komiteti për Politikë dhe Financa ka trajtuar edhe kërkesën e KRU “Radoniqi” për dhënie në shfrytëzim të parcelës nr. 561/1 ZK-Gjakovë për sistemimin e automjeteve të kompanisë. Kërkesa për këtë pronë e cila gjendet prapa objektit të kompanisë dhe ish ndërtesës së Bankosit ka gjetur pajtueshmërinë tek anëtarët e KPF-së për t’u shqyrtuar edhe në mbledhjen e Kuvendit të Komunës. Gjithashtu, në pikën të ndryshme janë trajtuar edhe disa kërkesa tjera të anëtarëve të KPF-së./radiogjakova/