Reparti i Psikiatrisë, aty ku të jepet një mundësi e dytë
Reparti i Psikiatrisë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, po vazhdon që me sukses të plotë të trajtojë dhe të shërojë personat me varshmërinë në substanca narkotike.
Projekti i cili ka filluar disa vjet më parë, po zhvillohet nën përkujdesjen e shefit të këtij reparti, doktor Ilir Grezda, ndërsa deri më tani llogaritet se numri i të shëruarve nga varshmëria në substanca narkotike është mjaft i madh.
Megjithatë, përkundër numrit të madh të të shëruarve, doktor Grezda ka bërë të ditur se në rritje është edhe numri i përdoruesve të drogës, e karshi kësaj numri i atyre që vendosin të shërohen është shumë më i vogël.
Sipas tij, shumica e përdoruesve të substancave narkotike janë të rinj nën moshën 25 vjeçare, është në rritje numri i atyre që janë pjesëtarë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas dhe mbi të gjitha ajo që vlen të përmendet është fakti se po vjen duke u shtuar edhe numri i pacientëve të gjinisë femërore.
Ndryshe, trajtimi i përdoruesve të drogës është një projekt i financuar nga Komisioni Evropian, i cili synon shërimin apo heqjen e varshmërisë përmes dhënies së kontrolluar të medikamentit të quajtur “Metadon”.
Doktori Grezda ka apeluar tek të gjithë personat që janë të varur nga substancat narkotike dhe tek familjarët e tyre, që pa asnjë hezitim të paraqiten për shërim në repartin e psikiatrisë, sepse një veprim i tillë tani, është shpëtim i sigurt për jetën e tyre./radiogjakova/