Rezultatet e para të aksioneve kundër peshkimit dhe shitësve ambulant
Me aksionet e zhvilluara nga Drejtoria e Inspektoratit për lirimin e hapësirave publike, në brendi të qytetit, si dhe aksionin për ndalimin e peshkimit, janë ndërmarrë edhe masat e para konkrete ndaj qytetarëve të cilët nuk kanë përfillur vendimet e Drejtorisë së Inspeksionit.
Si pasojë e këtij aksioni, tek lumi Drini i Bardhë janë konfiskuar njëmbëdhjetë rrjeta për peshkim (saka), ku në tërësi janë rreth 700 metra të këtij rrjeti. Aksioni është mbështetur edhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe shoqata e peshkatarëve në Komunën e Gjakovës.
Ndërkaq, gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike në qytet, në afërsi të shkollave, që është kryer gjatë gjithë ditës, afër shkollës “Yll Morina”, tek shkolla “Zekeria Rexha”, tek “Xhamia e Sefes”, tek Gjykata Themelore, tek objekti i televizionit “Syri Vision”, si dhe në rrugën magjistrale Gjakovë-Deçan , tek ETC-ja, është bërë lirimi i hapësirave publike nga shitësit e druve të zjarrit./radiogjakova/










