.
Published On: Tue, Mar 10th, 2015

Rreth 1.5 milionë euro për shtrimin e rrugëve

Share This
Tags

rruge-sanime-Komuna e Gjakovës ka buxhetuar rreth 1.5 milion euro të cilat do t’i shpenzojë në rregullimin e infrastrukturës rrugore përgjatë vitit 2015. Këto mjete do të shpenzohen nga ana e drejtorisë së Shërbimeve Publike e cila tashmë i ka marrë të gjitha kompetencat sa i përket çështjeve të infrastrukturës.

E siç kanë bërë të ditur në këtë drejtori, mjetet e ndara do të shpenzohen në tre pozicione, asfaltimin e rrugëve, pozicion që do ta marrë pjesën më të madhe të buxhetit rreth 1.1 milion euro, për shtrimin e rrugëve me kubëza do të shpenzohen rreth 400 mijë euro, ndërsa për ndërtimin e 3 urave do të shpenzohen rreth 40 mijë euro.

Sipas zyrtarëve të kësaj drejtorie, gjatë vitit 2015 është planifikuar të asfaltohen gjithsejtë 15 rrugë, përfshirë atë në lagjen Bojaj në Sheremet, një rrugë në fshatin Bec, pastaj rrugët “Dukagjin Vula”, “Xhafer Thaçi”, “Petro Nini Luarasi”, e të tjera. Sa i përket shtruarjes më kubëza, komuna ka llogaritur që gjatë vitit 2015 të jenë gjithsejtë 19 të tilla, siç janë ato në lagjen Shala në Rogovë, në rrugët “Londra”, “Mit’hat Frashëri”, “Ibrahim Fehmiu”, “Yjet e Erenikut”, e të tjera.

Ndërkohë, me pjesën tjetër të mjeteve, komuna ka paraparë ndërtimin e urave në fshatrat Raqë, Hereq dhe Rracaj. Sipas zyrtarëve komunal, të gjitha këto projekte dhe buxheti për to janë të miratuara nga Asambleja komunale./radiogjakova/