.
Published On: Sat, Dec 20th, 2014

Rreth 300 nxënës braktisin shkollën

Share This
Tags

banka-shkollore-klasaMigrimi i popullsisë në komunën e Gjakovës, dukuri mjaft e shpeshtë kohëve të fundit, ka filluar të lerë pasoja edhe në sistemin arsimor lokal. Bashkë me familjet e tyre jashtë Kosovës po migrojnë edhe shumë fëmijë, duke ndikuar kështu që shkollat në komunën tonë të zbrazen çdo ditë e më shumë.

Mësohet se vetëm gjatë dy muajve të fundit, rreth 300 nxënës në tërë komunën e Gjakovës janë larguar nga bankat shkollore. Vetëm nga shkolla e fshatit Hereç, javëve të fundit janë larguar 30 nxënës. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e drejtorisë komunale të arsimit, të cilët e kanë pranuar se kjo shifër është alarmante. Sipas tyre, me këtë trend të braktisjes së shkollave, mund të ndodhë që gjysmëvjetori i dytë të fillojë me 10 paralele më pak.

Kjo në mënyrë automatike nënkupton më pak orë mësimore dhe më pak vende pune për mësimdhënësit aktual. Në drejtorinë komunale po thonë se kanë kërkuar nga drejtorët e të gjitha shkollave që në mënyrë të rregullt të raportojnë për lëvizjet e nxënësve, në mënyrë që të paktën të kenë njohuri për statistikat e kësaj dukurie mjaft të rëndë./radiogjakova/