Rreth 80 studentë pranohen me listë në UGj “Fehmi Agani”
Mosmarrëveshjet në mes të Universitetit të Prishtinës dhe shoqatave të dala nga lufta, për pranimin pa konkurs të studentëve, duket se nuk kanë qenë të pranishme edhe në Universitetin e Gjakovës.
Mësohet se në Universitetin “Fehmi Agani” në vitin e ri shkollor janë regjistruar gjithsejtë 81studentë të cilët janë dërguar me listë nga shoqatat e dala nga lufta. Këtë e ka konfirmuar edhe rektori i Universitetit të Gjakovës Bajram Nura, i cili ka bërë të ditur se regjistrimi i këtyre studentëve është bërë në konsultim me Ministrinë e Arsimit.
Nura ka shtuar se menjëherë pasi e ka pranuar listën nga këto organizata ka kontaktuar me ministrin e Arsimit, Ramë Buja nga i cili ka kërkuar të dijë se si të veprohet në këtë rast. Në përgjigjen e tij Buja ka thënë se universiteti mund t’i pranojë këta studentë dhe sipas kësaj përgjigje edhe ka vepruar rektori.
Nga ana tjetër, në shoqatat e dala nga lufta është bërë e ditur se 81 të pranuarit në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, janë kryesisht familjarë të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës dhe se nuk është bërë asnjë keqpërdorim i kësaj mundësie./radiogjakova/