Rritet interesimi për investime në komunën e Gjakovës
Gjakovë- Një grup biznismenësh nga Holanda dhe Belgjika janë pritur mesditen e së enjtes në një takim nga kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Kjo e fundit, fillimisht ka prezantur kapacitetet e komunës së Gjakovës dhe planin e saj për zhvillim ekonomik. “Ju premtoj se Komuna e Gjakovës do jetë një partner serioz për të gjitha bizneset e interesuara dhe angazhimi ynë do jetë i vazhdueshëm për sigurimin e lehtësirave, por edhe krijimin e kushteve sa më të mira për investitorë”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka njoftuar edhe për lehtësirat që mund të kenë bizneset që investojnë në Gjakovë si fryt i Aeroportit të Gjakovës dhe zonës së lirë ekonomike.
Në emër të këtij grupi biznismenësh ka folur Musa Hoti i cili ka treguar interesimin konkret për investime në komunën e Gjakovës, duke thënë se ka disa përparësi që tjera komuna nuk i kanë.
“Interesimi ynë është që të investojmë në një fabrikë të xhamit termik si dhe në agrobiznes në përpunimin e qumshtit dhe të mishit. Ne kemi vizituar disa herë Gjakovën dhe jemi bindur se mund të jetë një vend i përshtatshëm që ne të zhvillojmë biznesin por edhe të krijojmë vende të reja të punës”, ka thënë Hoti.
Në fund të këtij takimi, kryetarja e komunës së Gjakovës, Kusari Lila ju ka premtuar biznismenëve nga Holanda dhe Belgjika për takime të tjera konsultative, në mënyrë të përshpejtimit dhe realizimit të sigurtë të investimeve të tyre në komunën e Gjakovës./radiogjakova/