Rrobaqepësia, zanati më i kërkuar në Gjakovë
Hapja e disa punëtorive dhe fabrikave të tekstilit në komunën e Gjakovës ka bërë që të shtohen kërkesat për rrobaqepës. Pavarësisht mundësisë më të shpejtë për punësim në këtë fushë, të rinjtë nuk parapëlqejnë të mësojnë këtë zanat.
Në anën tjetër, disa prej drejtuesve të këtyre fabrikave dhe punëtorive thonë se Gjakova nuk i plotëson në tërësi kërkesat e tyre.
Ata thonë se ka edhe raste kur i trajnojnë vet të interesuarit që duan të punojnë pasi nuk i mbetet zgjidhje tjetër, por ka edhe raste kur rrobaqepës vijnë edhe nga qytetet e tjera për të punuar në Gjakovë.
Interesimin e vogël të të rinjve për rrobaqepësi e sheh edhe te regjistrimi në këtë drejtim në shkollën e mesme teknike “Nxehmedin Nixha”. Edhe pse është paraparë të pranohen 32 nxënës, deri më tani janë paraqitur vetëm 19 veta.
Ndërkohë, ky zanat mund të mësohet edhe në Qendrën për Aftësim Profeional ku mbahen kurse me trajnerë profesionalë./radiogjakova/