Rruga “Marije Shllaku” zgjerohet vitin e ardhshëm
Rruga “Marije Shllaku” në afërsi të Stacionit Policor të Gjakovës është në procedurë për t’u zgjeruar dhe për t’u bërë e kalueshme edhe për makinat.
Drejtoria e Kadastrës ka konfirmuar se duhet të shpronësohen 86 metra katrorë, pronë e tri familjeve të ndryshme në këtë lagje, në mënyrë që të lirohet sipërfaqja aty ku është e ngushtuar dhe të krijohen kushtet për zgjerim.
Drejtori i kësaj drejtorie, Skënder Tullumi, i tha Radio Gjakovës se tashmë janë bërë të gjitha verifikimet në terren dhe i kanë dërguar Ministrisë së Financave kërkesën për shpronësim.
Kjo ministri bën vlerësimin e pronës dhe jep dritën jeshile për të vazhduar me procedura të tjera.
Mirëpo, edhe në rast se ka një përgjigje të shpejtë nga kjo ministri, kjo rrugë nuk pritet të zgjerohet deri vitin e ardhshëm, pasi Komuna e Gjakovës për këtë vit kalendarik nuk ka buxhet për të dëmshpërblyer pronarët e familjeve të cilave do t’ju merret toka.
Kërkesa për zgjerimin e një pjesë të rrugës “Marije Shllaku” në mënyrë që aty të kalojnë edhe veturat erdhi nga vet banorët e kësaj lagje.
Kjo rrugë bëhet një tjetër rrugë lidhëse me e shkurtër mes “Edit Durham” dhe “Muslim Mulliqit” që të nxjerr mbrapa Stacionit Policor ose tek objekti i ri i Drejtorisë për Pajisje me Dokumente dhe Regjistrim të Automjeteve në rrugën transite./radiogjakova/