.
Published On: Mon, Jul 27th, 2015

Rryma godet Uliks Bicurrin –Veteran i UÇK-së nga Brigada 137

Share This
Tags

Ish-luftëtari i UÇK-së, Uliks Bicurri, ka humbur jetë tragjikisht në Fshatin Doblibare të komunës së Gjakovës. Bicurri, si punëtor i KEDS-it, Distrikti i Gjakovës, gjatë një intervenimi është vënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë ka mbetur i vdekur. Lajmin për vdekjen e Bicurrit e ka konfirmuar edhe komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj. Trupi i pajetë i Bicurrit është dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Uliks Bicurri, si ushtar u UÇK-së, ka marrë pjesë edhe në Betejën e Koshares. Pas mbarimit të luftës ai ishte angazhuar në TMK dhe më vonë në KEDS. Ai pas vetes ka lënë bashkëshorten Valentinën, djalin Adolf dhe vajzën Orhidean

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila i ka shprehur ngushëllimet familjes Bicurri për vdekjen tragjike të Uliks Bicurrit, veteran i UÇK-së, tani punëtor në kompaninë KEDS.
Më poshtë mund ta lexoni telegramin e plotë të së parës së Gjakovës:

Telegram Ngushëllimi

E nderuara familje Bicurri, të nderuar bashkëpunëtor të Uliksit,

Me dhimbje të thellë, sot në mëngjes morëm lajmin e hidhur për vdekjen tragjike të z. Uliks Bicurri –Veteran i UÇK-së nga Brigada 137 Gjakova dhe Nën/Oficer i TMK-së, tani punëtor në kompaninë KEDS.
Kjo vdekje shumë e rëndë për ju si familjarë, na tronditi edhe neve si bashkëqytetarë, sepse Uliksi i mbijetoi momenteve më të rënda të vendit tonë, ndërsa sot gjeti vdekjen në krye të detyrës së tij, në kompaninë KEDS. Duke kujtuar kontributin e tij për qytetin dhe shtetin, ne me pikëllim të thellë kujtojmë kontributet dhe virtytet e tij në të mirë të qytetarëve si dhe guximin e tij prej luftëtari në Brigadën “Gjakova 137”.
Me përulje ngushëllojmë familjen Bicurri, shokët e UÇK-së dhe kompaninë KEDS, duke shprehur respektin dhe nderimet më të larta për birin, shokun dhe punëtorin tuaj.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Sinqerisht,
Mimoza Kusari Lila
Kryetare e Gjakovës