.
Published On: Wed, Aug 2nd, 2017

Seminari i Gjakovës, problemet me mësimin e gjuhës shqipe në diasporë

Share This
Tags

Mësimi i gjuhës shqipe kudo në diasporë ndodhet në një gjendje shumë të vështirë, pothuajse të mjerueshme dhe për të ndryshuar këtë gjendje duhet një angazhim në nivel shtetëror, në këtë përfundim erdhën të pranishmit në seminarin mbarëkombëtar me diasporën në Gjakovë.

Në fakt, në ditën dytë të seminarit të 13-të mbarëkombëtar me titull “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, Nuhi Gashi nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka veçuar edhe përqindjen e vogel të nxënësve të cilët mësojnë gjuhën e tyre amtare në shtetet e ndryshme të Europës e më gjerë.

Ndërkaq në temën “Funksioni identitar i letërsisë – Rasti i arbëreshëve të Italisë”, ka ligjëruar Prof. dr. Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kozencës në Itali, i cili ka thënë se rasti i arbëreshëve është unik dhe shumë i rrallë në botë dhe me rendësi të posaçme në letërsinë shqipe.

Në vazhdim të punimeve të këtij seminari, për “Identitetin e shqipes dhe rrugëtimin e saj tej kufijve gjeografik”, përkatësisht me shqiptarët e Izmirit, u bë prezantimi i hulumtimit ku ka folur Prof. Dr. Albana Tahiri nga Tirana.

Përpos kësaj pjesë e seminarit të së mërkurës në Gjakovë ishte edhe tema me titull “Puna e prindërve me fëmijën që në moshë të hershme si bazë dhe themel për një zhvillim të shëndetshëm mental dhe socio-emocional”, që ka ligjëruar Mirela Xoxi-Duka nga Zvicra, ndërkohë që janë trajtuar edhe tema të tjera në fushën e studimit të letërsisë shqipe.

Seminari i cili po mbahet në organizim të ministrive të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë do të vazhdojë punimet edhe gjatë dy ditëve të ardhshme./radiogjakova/