.
Published On: Wed, May 17th, 2017

Shënohet dita e dëshmorëve të Gjakovës

Share This
Tags

Në komunën e Gjakovës u shënua 17 Maji, dita e dëshmorëve të Gjakovës. Mimoza Kusari-Lila bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule tek lapidari “Shokët e lirisë” si dhe tek varrezat e dëshmorëve.

Duke e vlerësuar lartë kontributin dhe sakrificën e heronjve dhe dëshmorëve, kryetarja Kusari-Lila tha se 17 Maji është një ditë e veçantë për faktin se na rikujton rrugën e vështirë dhe plot vuajtje për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Ajo shtoi se nuk duhet të jetë vetëm një ditë e shënuar në kalendar që përkujton dhe nderon heronjtë e dëshmorët, por duhet të jenë të gjitha ditët e vitit që duhet të shërbejnë për një gjë të tillë.

Kusari-Lila qëndroi edhe në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë me ç ‘rast ka marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara në përkujtim të 18-vjetorit të çlirimit të këtij fshati.

Pasi bëri homazhe dhe nderoi të rënët në kompleksin memorial të dëshmoreve të Shqiponjës, mori pjesë në tubimin përkujtimor të zhvilluar po në këtë fshat ku ishin të pranishëm edhe kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, njërit kryetari i PDK-së, Kadri Veseli si dhe ish-komandanti i zonës operative të Dukagjinit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Duke mos u mjaftuar me atë që është bërë deri me tani, të gjithë ne duhet të këndellemi që të bëjmë edhe më shumë, jo vetëm për ta nderuar këtë vend të shenjtë e këtë kompleks memorial, por të gjithë të marrim mbi supe një obligim të vetëm, që të ndërtojmë këtë vend në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë, që të përmbushim ëndrrën e këtyre trimave që prehen të qetë dhe bashkë të trasojmë rrugën për fëmijët tanë që kërkojnë të sotmen dhe të nesërmen ta kenë më të mire dhe më të sigurtë”, u shpreh Kusari-Lila.