.
Published On: Fri, Nov 28th, 2014

Shënohet 28 Nëntori në Gjakovë

Share This
Tags

LapidariVeprimtaritë kulturore e sportive në shënim të 28 Nëntorit ditës së Flamurit, kanë nisur me homazhet te varrezat e dëshmorëve, ndërkohë që në mesditë është bërë përurimi i lapidarit “Shokët e lirisë” që është ndërtuar në parkun në qendrën e ngushtë të qytetit, e që iu dedikohet dëshmorëve të komunës së Gjakovës, të cilët luftuan dhe u flijuan për lirinë e atdheut.

Në këtë ceremoni Kusari-Lila ka thënë se “në shpirt të gjithë jemi kuq e zi, të gjithë kemi një flamur brenda nesh i cili përmbledhë kujtime të shkuara të kombit në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptoi syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja”.

“Kujtimet e flamurit tonë nuk janë kujtime goditjesh kundër fqinjëve, nuk janë kujtime lakmish dhe rrëmbimesh, por janë kujtime të vetëmbrojtjes me mundime të palodhura dhe me trimëri të lartë. Sa më shumë vite që kalojnë, aq më i madh bëhet malli për bijtë tanë, kurse sakrifica, gjaku dhe flijimi i tyre sublim gjithnjë e më kuptimplotë, më me vlerë dhe më i shtrenjtë, tregon se asnjë pasuri e kësaj bote, nuk ka aq vlerë sa të matë lirinë kombëtare, lirinë që na e sollën luftëtarët, të cilën e deshën aq shumë, por që na e dhuruan neve ta gëzojmë”, është shprehur kryetarja e Gjakovës.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-komandant i Zonës Operative të UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit, ka thënë se “sot jemi bashkuar për të gjetur të arriturat e shtetit tonë”. Duke veçuar ish komandantët e Brigadës 137 Gjakova të UÇK-së Agron Kryeziu dhe Avdullah Babalia, Haradinaj është shprehur se “ashtu siç është nëntori në Krujë, pastaj ai në Vlorë që e bënë burrat e mëdhenj të këtij kombi, në ato përmasa ishin edhe bijtë tuaj”.

Në këtë ceremoni, në emër të familjarëve të dëshmorëve të rënë, ka fol Gëzim Zherka, babai i dëshmorit Elton Zherka, pastaj kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjakovë, Sadri Hoxha, si dhe njëri nga ideatorët e këtij lapidari, Shpend Lleshi. Më pastaj të gjithë këta bënë zbulimin solemn të monumentit “Shokët e Lirisë“ të ngritur në qendër të qytetit në Gjakovë.

Në ndërkohë, në orën 12 e 30 u bë përurimi i Stacionit të Filtrimit në Kompaninë Rajonale të Ujerave “Radoniqi” në Gjakovë, për të vazhduar edhe me edhe me dy përurime tjera. Fillimisht rruga e asfaltuar në lagjen e minoritarëve në Rogovë të Hasit dhe ceremoninë e përurimit solemn të rrugës Muhadër – Pnish.

Ndërkohë nga ora 18:00 në shkollën e muzikës po mbahet koncerti solemn ku do të prezantohet kori dhe Orkestra e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, me mysafirë të shumtë./radiogjakova/