Shënohet në Gjakovë “Dita Ndërkombëtare e Rinisë”
Me aktivitete të shumta, sot në Gjakovë po shënohet “Dita Ndërkombëtare e Rinisë”. Në hapjen zyrtare të këtyre aktiviteteve, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se “Dita Ndërkombëtare e të rinjve që shënohet çdo vit me 12 Gusht, është menduar si mundësi për Qeveritë dhe organizatat tjera që të ngrisin vëmendjen për çështjet e të rinjve në mbarë Botën, ndërkohë që është përgjegjësi edhe të rinjve ta bëjnë botën më të mirë”.
Në anën tjetër, Emili Cullom nga Giz-i udhëheqëse e projektit Yepik , i cili në fokus ka punësimin e të rinjve është shprehur se kjo organizatë do të vazhdoi të mbështesë komunën e Gjakovës.
Eltjana Shkreli, koordinatore lokale e pilot projektit Cressida me titull “Ndotja e lumit Drin nga mbetjet urbane”, është shprehur e kënaqur që në Ditën Ndërkombëtare të rinisë gjendet mes të rinjve gjakovarë.
Ndryshe, aktivitetet në kuadër të shënimit të Ditës së Rinisë, në Gjakovë kanë nisur me Foto ekspozitën “Natyra” për të vazhduar me përgatitjen e Muraleve, ndërkohë që gjatë pasdites aktivitete për fëmijë do të organizohen në afërsi të bustit të Nënë Terezës në Parkun e qytetit për të vazhduar në të njëjtin ambient me Pemën e Rinisë. Aktivitetet do të përmbyllën me shfaqjen teatrale me titull “21 Lulet” . Shënimi i Ditës ndërkombëtare të Rinisë në Gjakovë, po organizohet nga Qendra Rinore e Gjakovës, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal dhe Rinia Aktive e Gjakovës