.
Published On: Mon, Mar 10th, 2014

Shkelzen Rexha i dyti në Wiki Academy Kosova

Share This
Tags

xen-rexhaPrishtinë- Wiki Academy Kosova, në edicionin e dytë “City Marathon”, ka finalizuar këtë fundjavë projektin kushtuar kontribuesve për artikuj dhe fotografitë më të mira për shtetin e Kosovës në gjigantin e kërkimeve të informatave Wikipedia. Në një ceremoni të mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Wiki Academy Kosova në bashkëpunim me Ipko Fondation, fillimisht kanë ndarë mbi 300 certifikata për të gjithë pjesëmarrësit e këtij projekti dhe më pas ka ndarë edhe disa mirënjohje për autorët e 78 artikujve dhe të 1500 fotografive të mbledhura për t’i informuar sa më saktësisht të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë të vizitojnë qendrat kryesore të Kosovës.

Wiki Academy Kosova iu ka ndihmuar pjesëmarrësve vullnetarë që të zhvillohen si redaktorë të kualifikuar për të shkruar artikuj dhe për të siguruar fotografi me cilësi të lartë rreth Kosovës në kategori si, trashëgimia kulturore, çështjet sociale, gjeografia, institucionet, ekonomia dhe turizmi.
Gjatë kësaj maratone nëpër qytetet të ndryshme të Kosovës, pjesëmarrësit kanë takuar mentorë të Wikipedias dhe ekspertë të hulumtimit nga jashtë dhe brenda Kosovës, me qëllim që të mësojnë rreth hulumtimit dhe hartimit, si dhe të takojnë të interesuar të tjerë në përmirësimin e reputacionit të Kosovës jashtë vendit.

Rineta Hoxha, përfaqësuese kryesore e Wiki Academy Kosova, ka theksuar para të pranishmëve se nuk ka qenë fare e lehtë zhvillimi i këtij projekti. Ajo ka deklaruar se për ta finalizuar projektin që në një farë forme do të ndryshohet imazhi i shtetit të Kosovës është dashur të bëhen tre mijë kilometra për të mbledhur vullnetarë, dyzetë prezantime në shkolla të ndryshme dhe tre muaj kampanjë përmes rrjeteve sociale dhe mediumeve të shkruara dhe elektronike.
“Në këtë ditë, kur kemi parë se i keni dorëzuar artikujt dhe fotografitë dhe që jeni këtu të pranishëm, po e shohim se me të vërtetë ia ka vlejtur që të punojmë në këtë projekt. Kosova asnjëherë nuk ka qenë më mirë e përfaqësuar në internet se tash e tutje. Nëpërmjet këtyre të gjitha artikujve si dhe fotove, ne do t’i përdorim për t’i treguar botës se çfarë bukurish dhe karakteristika gjenden në qytetet tona të Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë, Abetare Gojani, përfaqësuese nga Ipko Fondation, ka lavdëruar të gjithë vullnetarët të cilët ishin pjesëmarrës me punët e tyre në forma të ndryshme për ta zhvilluar denjësisht projektin që të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë për Kosovën, përmes shiritit të Wikipedias duke shkuar emrin e këtij shtetit më të ri të Evropës, tashmë do të informohen fare lehtë.
“Jam shumë e lumtur që po ritakohemi, por tashmë në një vend tjetër. Jemi tejet falënderues për kontributin e juaj dhënë në këtë projekt të Wiki Academy, në mënyrë që Kosova dhe qytetet e saj të jenë të paraqitura më mirë në Wikipedia me më shumë artikuj dhe fotografi”, ka theksuar Gojani, duke falënderuar më pas të gjithë sponsoruesit e projektit për informatat e shtetit të Kosovës.

Vendi i parë, në çmimin “Fotografia më e mirë”, ka shkuar për Agron Beqirin, i cili kishte shkrepur një pamje ku në të shiheshin disa valltare me veshje kombëtare, ndërkohë, në çmimin e dytë ka triumfuar Shkëlzen Rexha, kurse në të tretin Violeta Myftari. Këta të fundit kanë fituar edhe në çmimin “Dërguesit e fotografive”, Myftari ka fituar vendin e parë, ndërsa Rexha atë të dytin përderisa në çmimin e tretë në këtë kategori ka fituar Arben Llapashtica. Wiki Akademy për këtë projekt ka ndarë edhe dhjetë çmime tjera për vullnetarët të cilët kanë shkruar për turizmin e qyteteve të rrethinës së Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit.

Wiki Academy Kosova është i cilësuar si projekti më i madh që realizohet në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Diplomaci Digjitale të Kosovës dhe ka për qëllim përmirësimin dhe shtimin e përmbajtjes për Kosovën në botën e internetit. Për të dytën herë me radhë Akademia ka sjellë në një vend aktivistë të Wikipedias, të rinj, mentorë e anëtarë jurish të cilët kanë krijuar e vlerësuar përmbajtje për Kosovën në Wikipedia.

Qëllimi i Wiki Academy II “City Marathon” është përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së përmbajtjes online për vendet specifike në Kosovë dhe për të përfaqësuar këtë shtet sa më mirë në botë./kultplus/