Shkolla “Këlmend Rizvanolli” festoi ditëlindjen e pestë
Nxënës e mësimdhënës të shkollës fillore “Këlmend Rizvanolli” të premten festuan ditën e tyre të shkollës. Në këtë ditë, që përkon me datën e lindjes së Këlmend Rizvanollit, kjo shkollë shënoi përvjetorin e pestë të punës.
Drejtoresha e shkollës, Valma Kamishi Zeka, u shpreh se çdo ditë janë falënderues dhe frymëzohen nga vepra e familjeve Kusari e Rizvanolli që bënë të mundur ndërtimin e shkollës.
Ajo tha se pas pesë vitesh, kjo shkollë ka arritur rezultate të mira në mësim s idhe është shembull për mësimdhënie, disiplinë e kulturë brenda shkollës.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i komunës, Ardian Gjini. Ai deklaroi se gjatë muajve sa ka marrë detyrën dhe është përmendur arsimi, shkolla “Këlmend Rizvanolli” merret si shembull, për çka falënderoi të gjithë mësimdhënëset.
Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj, pasi uroi për festën tha se shkolla duhet të vazhdojë punën për të arritur rezultate edhe më të mira.
Familjari i Këlmend Rizvanollit, Xhelal Kusari, në fjalën e tij të shkurtër u shpreh i lumtur për sukseset e nxënësve në këto pesë vite ndërsa tha se kjo ka qenë edhe dëshira e prindërve të Këlmendit që shkolla të jetë shembull.
Më pas, u shfaq një program me këngë e valle që u perfomuan nga nxënësit. E një nxënës tha se 16 marsin do ta mbajmë mend si ditën kur lindi Këlmendi për t’u mos harruar kurrë vepra e familjes së tij./radiogjakova/