Shoqata e të Burgosurve: Jabllanoviqi duhet të shkarkohet!
Zërit të qytetarëve dhe të shumë shoqatave e organizatave për shkarkimin e ministrit Aleksander Jabllanovic, i është bashkangjitur edhe Shoqata e të Burgosurve “142+2” nga Gjakova, të cilët kanë kërkuar nga kryeministri Mustafa që sa më shpejtë ta ndërmarrë veprimin e shumë kërkuar dhe të shumë pritur nga qytetarët e Kosovës.
Në emër të shoqatës, kryetari i saj Afrim Caka ka thënë se deklarata e ministrit Jabllanovic, pos që i ka fyer ata që në mënyrë direkte kanë vuajtur nga pushtimi serb, siç janë familjarët e të rënëve e të zhdukurve dhe të burgosurit, i ka fyer të gjithë qytetarët e Gjakovës dhe Kosovës.
Sipas tij, një individ siç është Jabllanoviç, i cili edhe në të kaluarën ka pasur deklarata të tilla fyese dhe në përkrahje të krimeve serbe në Kosovë, nuk e ka vendin në institucionet e Kosovës, institucione të cilat u krijuar me shumë gjak e sakrifica nga populli i Kosovës.
Shoqata pret që kryeministri Mustafa ta kuptojë vuajtjen dhe brengën e kësaj kategorie të njerëzve dhe ta shkarkojë Jabllanoviçin, sepse me mos veprimi ai veçse do ta shtojë këtë vuajtje dhe këtë brengë për këta njerëz./radiogjakova/